Kryeinspektori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Afrim Qendro, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, zhvilluan një takim me sipërmarrësit që operojnë në zonën e Golemit dhe Qerretit, duke ngritur shqetësime serioze për shkeljet në kantieret e ndërtimit.
Sipas Qendros, nga 55 leje ndërtimi aktualisht në zhvillim në këtë zonë, vetëm dy objekte rezultojnë në përputhje me kriteret ligjore pas kontrollit të parë të IKMT-së, ndërsa pjesa tjetër janë vlerësuar si problematike, në disa raste edhe shumë keq.
Ai u dha ultimatum bizneseve të marrin masa urgjente për të respektuar standardet, duke theksuar se situata aktuale dëmton drejtpërdrejt turizmin në një nga zonat më të frekuentuara të vendit.
“Është e pafalshme të dëmtohet turizmi prej 55 kantiereve. Fakti që dy biznese janë në rregull tregon se është e mundshme për të gjithë”, u shpreh ai.
Qendro theksoi gjithashtu rëndësinë e garantimit të sigurisë për banorët dhe turistët që frekuentojnë zonën e Golemit, Qerretit dhe Kavajës, duke kërkuar përgjegjshmëri më të madhe nga subjektet ndërtuese.
Në fjalën e tij, ai kritikoi edhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Kavajë për mungesë efikasiteti në ushtrimin e detyrës.
Kryeinspektori paralajmëroi se javën e ardhshme do të nisë një rikontroll i përgjithshëm në të gjitha kantieret dhe se ndaj subjekteve që nuk përmbushin kushtet e sigurisë teknike do të merren masa të rrepta ligjore.
“Po ju japim një afat të mjaftueshëm. Nëse nuk reagoni, nuk do të tolerohet askush”, përfundoi Qendro.







