Ballina Ekonomia Shifër rekord për ekonominë, turistët e huaj shpenzuan 5.7 miliardë euro në...

Shifër rekord për ekonominë, turistët e huaj shpenzuan 5.7 miliardë euro në 2025 në Shqipëri

79
0

Të ardhurat e turizmit për vitin 2025 kapën një rekord te ri, në vlerën 5.7 miliardë euro. Ndërkohë, shqiptarët shpenzuan jashtë për udhëtime rreth 3 miliardë euro.

Shpenzimet e pushuesve te huaj në Shqipëri arritën në 5.7 miliardë euro gjatë vitit 2025, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në serinë e bilancit të pagesave. Në vitin 2024, këto të ardhura ishin 5 miliardë euro, dhe rritja vjetore 14.5%, konfirmon se turizmi mbetet një nga burimet më të forta të hyrjes së valutës në ekonomi.

Edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit janë rritur, por me ritëm më të ulët. Në vitin 2025 ato arritën në 3 miliardë euro, nga 2.70 miliardë euro në 2024, me një zgjerim rreth 12%.Shifra tregon se kërkesa për udhëtime jashtë mbetet e fortë, por rritja e të ardhurave nga vizitorët e huaj ka qenë më e shpejtë se rritja e shpenzimeve të shqiptarëve në tregjet e jashtme.

Si rezultat, bilanci neto i turizmit u ngjit në 2.7 miliardë euro në 2025, nga 2.3 miliardë euro një vit më parë. Përmirësimi është me rreth 393 milionë euro, ose 17%, çka përbën një tjetër rekord historik.Kjo përkthehet në më shumë valutë që hyn në ekonomi, më shumë konsum të mbështetur te vizitorët dhe një rol gjithnjë e më të madh të turizmit në rritjen e Prodhimit Kombëtar.

Në pamje afatgjatë, zgjerimi është edhe më i fortë. Krahasuar me vitin 2008, të ardhurat nga shpenzimet e të huajve janë rritur gati 5 herë, ndërsa bilanci neto është zgjeruar afro 24 herë.