Ballina Ekonomia Qeveria miraton ndërtimin e dy parqeve diellore më fuqi 152 mega

Qeveria miraton ndërtimin e dy parqeve diellore më fuqi 152 mega

120
0

Një park fotovoltaik me fuqi 102 megavat në Mbreshtan të Kolonjës dhe një tjetër me fuqi 50 mega në Vërnik të Korcës janë dy projektet më të fundit të energjisë diellore që kanë marrë miratimin nga qeveria. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit lejet për dy veprat, të cilat do të ndërtohen nga dy kompani shqiptare.

Projekti i parë, ai i parkut fotovoltaik 102 mega në Kolonjë do të ndërtohet nga kompania Tekno Fire shpk, që zotërohet nga biznesmeni Alban Çejku. Sipas vendimit të qeverisë, afati për ndërtimin dhe vënien në punë të centralit është 36 muaj, ndërkohë që kompania do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të tij për 49 vjet.

Ndërkohë parku i dytë, ai me kapacitet 50 mega do të ndërtohet nga kompania Kronos Konstruksion e Vasil Jovanit. Edhe kjo vepër do të ketë të njëjtin afat përfundimi prej 36 muajsh, ndërkohë që privati do të ketë të drejtën e shfrytëzimit po 49 vjet.

Shqipëria po miraton masivisht leje për ndërtimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, veçanërisht nga dielli. Por kohët e fundit disa kompania që kanë hyrë të parët në këtë treg janë duke investuar në bateri për depozitimin e energjisë për shkak të çmimeve jo të favorshme të këtij produkti gjatë fashave orare të prodhimit diellor.