Ballina Kulturë 523 kulla drejt transformimit, plani që mund të ndryshojë turizmin në Shqipërinë...

523 kulla drejt transformimit, plani që mund të ndryshojë turizmin në Shqipërinë e Veriut

103
0

Programi i “Rijetëzimit të Kullave” në Shqipërinë e Veriut po hyn në një fazë të re zhvillimi, duke u zgjeruar me përfshirjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Fakultetit të Arkitekturës.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe GIZ Albania, synohet ndërtimi i një qasjeje të integruar për adresimin e çështjeve të pronësisë dhe zhvillimin e projekteve të restaurimit.

Lajmi u bë i ditur sot, 7 prill, nga ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, gjatë një aktiviteti në Malësi të Madhe, ku prezantoi ecurinë dhe fazat e ardhshme të programit. Sipas tij, nisma synon jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe kthimin e saj në një aset për zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve lokale.

Sipas tij, programi është aktualisht në një fazë të konsoliduar institucionale dhe teknike.

Gjatë viteve 2023-2025, përmes një projekti ‘pilot’ me mbështetjen e GIZ Albania, u përfshinë 20 kulla, bujtina dhe njësi agroturizmi, duke u integruar në ofertën turistike përmes itinerareve të strukturuara dhe trajnimit të operatorëve lokalë.

Në nëntor 2025, Ministria lançoi zyrtarisht programin kombëtar dhe formalizoi bashkëpunimin me GIZ Albania përmes një Memorandumi Mirëkuptimi. Aktualisht, puna është përqendruar në ndërtimin e një baze të plotë të dhënash dhe përgatitjen e ndërhyrjeve konkrete në terren.

Deri më tani janë inventarizuar 523 kulla në qarqet Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës.

Paralelisht është ngritur një platformë digjitale GIS për planifikim dhe vendimmarrje, ndërsa janë realizuar analiza mbi statusin ligjor dhe pronësinë e objekteve.

Programi përfshin gjithashtu hartimin e projekteve të restaurimit në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës, si dhe rekomandime për funksionalizimin e kullave si bujtina, muze dhe hapësira për aktivitete kulturore. Një rol të rëndësishëm luan edhe ndërthurja e trashëgimisë materiale me atë jomateriale, ku përfshihen elementë si lahuta, xhubleta dhe “Oja”, pjesë e listave të UNESCO-s.

Në kuadër të bashkëpunimit me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, po punohet për zgjidhjen e çështjeve të pronësisë dhe lehtësimin e procedurave për pajisjen me certifikata pronësie, me synim tërheqjen e investimeve private.

Ministri thekson se këto ndërhyrje do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit, duke krijuar një produkt autentik që zgjeron ofertën përtej sezonit dhe destinacioneve tradicionale, veçanërisht në zonat malore.

Programi pritet të hyjë në fazën e zbatimit të plotë gjatë periudhës 2027-2029, me një buxhet fillestar prej 400 mijë eurosh për vitin 2027 dhe pritshmëri për rritje në vitet në vijim. Fokus do të jetë restaurimi, funksionalizimi dhe integrimi i kullave në rrjetin turistik kombëtar.