Kreu i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj ka reaguar ashpër lidhur me situatën e sektorit të naftës në Shqipëri, duke denoncuar atë që e cilëson si keqmenaxhim dhe abuzim nga institucionet shtetërore.
Sipas tij, në zonën e Mallakastrës, nafta po derdhet “si lum”, ndërsa qytetarët shqiptarë përballen me çmime shumë të larta të karburantit. Lapaj akuzon drejtpërdrejt shtetin shqiptar dhe kompaninë Albpetrol për mungesë kontrolli dhe përgjegjësie.
“Nafta lum! Nafta lum, vëlla. Nafta lum këtej nga Mallakastra. Keqmenaxhimi dhe hajdutëria e shtetit shqiptar dhe e Albpetrolit ka bërë që sot ne të paguajmë një nga çmimet më të larta në botë të naftës, ndërkohë që nafta e vendit tonë derdhet në përrenj dhelumenj si ‘mall pa zot’”, është shprehur Lapaj.
Në video-reagimin e tij, kreu i ‘Shqipëria Bëhet’ rikujton gjithashtu premtimet e bëra në vitin 2013 nga Edi Rama dhe qeveria e tij për ringritjen e industrisë përpunuese të naftës.
“Në vitin 2013, Edi Rama dhe Rilindja erdhën në pushtet me premtimin për të ringritur industrinë përpunuese të naftës. Porpak vite më vonë rezulton se Edi Rama është varrmihësi që hodhi lopatën e fundit të shkatërrimit mbi Rafinerinë e Ballshit, e cila dikur përpunonte rreth 1 milion ton naftë bruto, ndërkohë që sot është e mbushur me panele diellore”, shtoi më tej Lapaj.
Lapaj gjithashtu propozon si zgjidhje të menjëhershme uljen e taksave mbi karburantet, duke argumentuar se në kohë krizash qeveria nuk duhet të rëndojë më tej qytetarët.
Për të ulur çmimin e naftës, duhet urgjentisht që shteti të ulë nivelin e taksimit, sepse qeveria nuk mund të fitojë më shumë në kohë krizash. Ndërkohë, për ta zgjidhur problemin e çmimit të naftës, duhet të ringrejmë industrinë përpunuese të naftës, gjë të cilën Edi Rama nuk e bën dot.







