Ballina Aktualitet Shoqata e Prokurorëve reagim zyrtar: Gjuha e urrejtjes ndaj magjistratëve, praktikë abuzive...

Shoqata e Prokurorëve reagim zyrtar: Gjuha e urrejtjes ndaj magjistratëve, praktikë abuzive dhe e papranueshme

73
0

Shoqata e Prokurorëve ka dalë me një reagim zyrtar në “Facebook” lidhur me gjuhën e përdorur ndaj magjistratëve në hapësirën publike dhe mediatike. Shoqata e Prokurorëve thekson se fyerjet, aludimet dhe shpifjet, përbëjnë një praktikë abuzive dhe të papranueshme.

Më tej në reagim theksohet se çdo kritikë dhe debat lidhur me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe argumenteve.

Shoqata e Prokurorëve ndër të tjera shprehu mbështetjen për çdo magjistrat që përballet me sulme të tilla. Sipas tyre, ata mbeten të vendosur për të ndërmarrë çdo hap ligjor për të mbrojtur integritetin, figurën dhe vlerat e magjistratëve në vend.

“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me përdorimin e përsëritur të gjuhës së urrejtjes dhe të përçmimit ndaj magjistratëve në hapësirën publike dhe mediatike.

Në një shoqëri demokratike, media, së bashku me aktorë të tjerë të jetës publike, përbëjnë shtylla themelore në garantimin e transparencës, llogaridhënies dhe besimit të publikut. Megjithatë, përdorimi në disa raste i medias dhe i platformave publike për të shënjestruar dhe linçuar figurën e magjistratit, përmes fyerjeve, aludimeve dhe shpifjeve, deri në forma të përndjekjes publike, përbën një praktikë abuzive dhe të papranueshme.

Qasje të tilla cenojnë integritetin profesional të magjistratëve dhe dëmtojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, duke prekur drejtpërdrejt interesin publik dhe themelet e shtetit të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve vlerëson dhe mbështet plotësisht lirinë e shprehjes dhe rolin thelbësor të medias në një shoqëri demokratike, përfshirë të drejtën për të evidentuar problematika dhe për të shprehur kritikë ndaj sistemit të drejtësisë, edhe kur kjo është e fortë. Megjithatë, është thelbësore që kjo kritikë dhe çdo debat lidhur me sistemin e drejtësisë të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe argumenteve, e të mos zëvendësohet nga sulme personale ndaj magjistratëve.

Në këtë drejtim, Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje aktorëve të jetës publike dhe mediave të distancohen nga gjuha e urrejtjes dhe çdo formë intimidimi në diskursin publik, si dhe të kontribuojnë në respektimin e etikës dhe standardeve profesionale, duke vendosur në qendër interesin publik.

Në përmbushje të misionit të saj për mbrojtjen e parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë, Shoqata e Prokurorëve shpreh mbështetjen e plotë për çdo magjistrat që përballet me sulme të tilla dhe mbetet e vendosur të ndërmarrë çdo hap ligjor për të mbrojtur integritetin, figurën dhe vlerat e magjistratëve në Republikën e Shqipërisë”, shkruhet në reagim.