Ballina Politika “Korrupsioni e vetmja ‘zotësi’ e Ramës”, Paloka: Miliona euro ‘avullojnë’, shqiptarët paguajnë...

“Korrupsioni e vetmja ‘zotësi’ e Ramës”, Paloka: Miliona euro ‘avullojnë’, shqiptarët paguajnë koston

91
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për mohimin e realitetit të korrupsionit në vend, duke e cilësuar deklaratën e tij se “korrupsioni është thjesht perceptim” si një shprehje që është kthyer tashmë në “meme”.

I ftuar në një emisio televiziv, Paloka ka argumentuar se qeveria po përdor një strategji të mirëmenduar ligjore për të fshehur përmasat e vërteta të korrupsionit.

Sipas tij, asnjë nga ministrat, kryebashkiakët apo zyrtarët e lartë të përfunduar pas hekurave nuk është akuzuar realisht për veprën penale të korrupsionit.

Në vend të kësaj, akuzat ndaj tyre janë zbutur duke u cilësuar si “shpërdorim detyre”, një vepër me pasoja më të lehta ligjore.

Paloka akuzoi Ramën se përdor dy standarde të ndryshme në retorikën e tij. Përpara audiencës ndërkombëtare, kryeministri paraqet arrestimin e zyrtarëve si një provë e luftës kundër korrupsionit, ndërsa brenda vendit, ai pretendon se nuk ka korrupsion, por vetëm raste individuale pa lidhje me qeverinë.

Duke iu referuar argumentit të Ramës se “po të kishte korrupsion, nuk do të kishte rritje ekonomike”, Paloka e quajti atë “idiot” dhe “injorant”. Deputeti demokrat e kundërshtoi këtë pretendim duke sjellë në vëmendje një raport të fundit të “Monitor”, i cili e rendit Shqipërinë si vendin me pagat më të ulëta në Ballkan, përjashtuar Kosovën.

Sipas tij, ndërkohë që rrogat mbeten në vend, çmimet e konsumit janë në nivelet e Bashkimit Evropian, çka ka sjellë një varfërim real të qytetarëve. Në këndvështrimin e Palokës, e ashtuquajtura rritje ekonomike nuk vjen nga zhvillimi i qëndrueshëm, por është e lidhur drejtpërdrejt me pastrimin e parave, një fenomen për të cilin Shqipëria është në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Ai përfundoi duke theksuar se e vetmja “zotësi” e Ramës është aftësia për të korruptuar dhe për ta shtrirë korrupsionin në çdo detaj të jetës në Shqipëri.