Ballina Kronika Të dënuar për vrasje në Shqipëri, arrestohen në Itali dy vëllezërit

Të dënuar për vrasje në Shqipëri, arrestohen në Itali dy vëllezërit

111
0

Policia e Shtetit ka njoftuar kapjen në Itali të dy vëllezërve të dënuar për vrasje, falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet italiane.

Në pranga kanë rënë shtetasit Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitesh. Ata ishin dënuar nga Gjykata e Lushnjës në vitin 2001 me një total prej 32 vitesh burg për “vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Krimi për të cilin ata janë dënuar daton më 12 shtator 1999, kur në Lushnjë ekzekutuan me armë zjarri shtetasin R.M., për motive gjakmarrjeje, pasi ky i fundit kishte vrarë vëllanë e tyre në vitin 1997.

Sipas policisë, pas kryerjes së krimit, dy vëllezërit u larguan drejt Italisë duke përdorur identitete të rreme, me të cilat arritën të siguronin leje qëndrimi në shtetin fqinj. Artur Mehilli përdorte emrin Artur Davidhi, ndërsa Arben Mehilli identitetin Arben Gjermeni.

Operacioni për lokalizimin dhe arrestimin e tyre u bë i mundur nga strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Policinë e Fierit, ndërsa informacioni u shkëmbye përmes Interpol, konkretisht mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.

Një rol kyç në identifikimin e tyre ka luajtur përdorimi i teknologjisë biometrike “Facial Recognition”, tashmë në dispozicion të Interpol Tiranës, e cila bëri të mundur zbulimin e identiteteve reale të të kërkuarve.

Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se vijon bashkëpunimi me palën italiane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të dy vëllezërve drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajnë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.