Ballina Kulturë Shuhet në moshën 95-vjeçare legjenda e kinemasë gjermane Mario Adorf

Shuhet në moshën 95-vjeçare legjenda e kinemasë gjermane Mario Adorf

164
0

Legjenda e aktrimit gjerman, Mario Adorf, ka ndërruar jetë më 8 prill 2026 në apartamentin e tij në Paris, pas një sëmundjeje.

Lajmi u konfirmua nga menaxhmenti i tij dhe agjencia e filmit Reinholz. Aktori i madh, i cili la pas gruan e tij franceze Monique, vajzën Stella nga martesa e parë dhe nipin Julius, u konsiderua për dekada si një figurë përcaktuese e kinemasë dhe televizionit gjerman.

I lindur në Cyrih më 8 shtator 1930, Adorf u rrit në rrethana modeste, por që në moshë të vogël tregoi interes për letërsinë dhe teatrin. Ai studioi filozofi, gjermanistikë dhe arte dramatike në Mainz dhe Cyrih, përpara se të ndiqte shkollën e dramës.

Talenti i tij u dallua shpejt dhe i solli angazhimet e para në teatër, ndërsa zbulimi në film erdhi në fund të viteve 1950. Që prej asaj kohe, karriera e tij ishte e pandalshme.

Adorf mishëroi mbi 200 personazhe në kinemanë dhe televizionin gjerman, duke dhënë jetë një game të gjerë figurash – nga keqbërës e gangsterë, deri te patriarkë të ndjeshëm.

Me shkathtësinë e tij, ai i bëri këta personazhe aq njerëzorë sa publiku shpesh binte në dashuri me ta pavarësisht anëve të tyre të errëta.

Një nga rolet që i dha famë ndërkombëtare ishte në filmin “Tymorja e kallajit” (“The Tin Drum”, 1979) të Volker Schlöndorff, bazuar në romanin e Günter Grass. Ai punoi gjithashtu me regjisorë dhe aktorë të njohur në prodhime ndërkombëtare si në filmin serial “La Piovra”, (Oktapodi) i transmetuar dhe në RTSH.

Përveç filmit, Adorf i qëndroi gjithmonë besnik teatrit. Zëri dhe prania e tij e fuqishme e bënë një narrator dhe recitues të kërkuar. Ai shkroi edhe libra dhe u shfaq në programe letrare, ku shprehu dashurinë e tij për gjuhën gjermane dhe letërsinë.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Adorf u vlerësua me çmime të shumta, përfshirë Çmimin Gjerman të Filmit dhe Urdhrin e Meritës së Republikës Federale të Gjermanisë. Ai nuk ishte vetëm një artist, por edhe një njeri me qëndrim, duke folur hapur për çështje sociale dhe politike dhe duke mbështetur vlerat kulturore.

Në shtator të vitit të kaluar, pak para se të mbushte 95 vjeç, Adorf u shpreh se “nuk e kishte pritur të ishte kaq i vjetër”, por se ishte “në paqe” me veten.