Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit (IPQ) ka reaguar publikisht ndaj deklarimeve të bëra në Kuvend për sektorin e përpunimit të qumështit, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të dëmshme për industrinë dhe besimin e konsumatorit. Në një letër zyrtare, IPQ thekson se pretendimet se fabrikat kanë refuzuar qumështin në dëm të blegtorëve janë të pabazuara dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore.
Sipas shoqatës, refuzimi i qumështit që nuk plotëson standardet – përfshirë rastet me përmbajtje aflatoksine, nivel të lartë qelizash somatike apo mbetje antibiotikësh – nuk është zgjedhje e industrisë, por një detyrim i drejtpërdrejtë ligjor. Fabrikat përpunuese janë të detyruara të zbatojnë Ligjin “Për Ushqimin” dhe aktet nënligjore përkatëse, si dhe standardet e kontrollit të sigurisë ushqimore bazuar në sistemin HACCP.
Ky qëndrim mbështetet edhe nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), i cili në një përgjigje zyrtare konfirmon se çdo produkt që tejkalon kufijtë e lejuar të kontaminuesve konsiderohet i pasigurt dhe nuk mund të hidhet në treg apo të përdoret për përpunim. Sipas dokumentit të AKU-së, kufiri maksimal për aflatoksinën M1 në qumësht është 0.05 μg/kg dhe çdo tejkalim i këtij niveli detyron operatorin të refuzojë produktin dhe të njoftojë autoritetet përkatëse.
Në këtë kontekst, industria argumenton se veprimet e saj nuk janë vetëm të ligjshme, por edhe të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. Pranimi i qumështit të kontaminuar do të përbënte shkelje të rëndë të ligjit dhe një rrezik serioz për sigurinë ushqimore në vend.
IPQ paralajmëron se deklarimet e pavërteta rrezikojnë të dëmtojnë jo vetëm imazhin e industrisë, por edhe të minojnë besimin e konsumatorëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, në një moment kyç për procesin e integrimit europian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 12 për sigurinë ushqimore.
Shoqata nënvizon se industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri ka bërë investime të rëndësishme për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian dhe mbetet e angazhuar për garantimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve vendase. Në të njëjtën kohë, ajo i bën thirrje aktorëve publikë që debati mbi sektorë jetikë si ushqimi të bazohet në fakte, ligj dhe përgjegjësi ndaj shëndetit të qytetarëve.








