RadioTelevizioni shqiptar, po operon në kufijtë e aftësive të tij teknologjike dhe kufizimesh financiare. Raporti vjetor për aktivitetin gjatë vitit të kaluar vë në dukje një realitet problematik. “Amortizimi progresiv i pajisjeve, shtyrja e investimeve dhe rritja e kërkesave për prodhime dhe transmetime live po krijojnë një presion të vazhdueshëm mbi kapacitetet teknike të institucionit”, shpjegon raporti sipas të cilit “Shtyrja e investimeve nuk përbën vetëm një problem zhvillimi, por një risk të drejtpërdrejtë operacional”.
Drejtuesit e RTSH paralajmërojnë se “nëse kjo tendencë vijon, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në cilësinë e transmetimit, por mund të ndikojnë edhe në stabilitetin teknik të rrjetit, në sigurinë e sistemeve dhe në aftësinë e RTSH-së për të përballuar kërkesat e një mjedisi mediatik gjithnjë e më digjital dhe konkurrues”.
Situata e krijuar vlerësohet të jetë rezultat i një periudhe të gjatë investimesh të kufizuara dhe modernizimi të pjesshëm të sistemeve teknologjike.
Pasojat, edhe më të ndjeshme, janë shtrirë dhe mbi arkivin i cili “përmban një pjesë të pazëvendësueshme të memories audiovizive të Shqipërisë: histori politike, kulturore, artistike dhe sociale të disa dekadave”.
Edhe këtu paralajmërimet janë serioze. “Çdo degradim apo humbje e këtij fondi përbën një humbje të pakthyeshme për trashëgiminë kombëtare. Aktualisht, procesi i digjitalizimit zhvillohet me kapacitete minimale, me infrastrukturë të kufizuar dhe pa një program të strukturuar financimi. Në këto kushte, rreziku nuk është teorik, por real dhe në rritje”, shkruhet në raport.
Mijëra orë me filma dhe programe të tjera që nuk janë të digjitalizuara janë në rrezik. “Formate si: film 16mm, kaseta bosch, kaseta ampex, janë të ndjeshme ndaj: lagështisë, temperaturës, konsumit kimik të materialit, mungesës së mirëmbajtjes laboratorike. Çdo vit vonesë rrit rrezikun e humbjes së përmbajtjes.”-thuhet në raport.
Kërkesa e bërë për një fond të posaçëm prej 200 milionë lekësh, për vitin 2026, për nisjen e procesit të digjitalizimit në shkallë të gjerë, nuk u reflektua në buxhet, ndonëse “çdo vit vonesë rrit probabilitetin e humbjes përfundimtare të një pjese të fondit audioviziv”.
Veç pengesave financiare dhe kufizimeve në investime RTSH duket se është duke u përballur edhe më një sërë problemesh të tjera përfshirë humbjet që vijnë nga proceset gjyqësore.
Në fillim të këtij viti, RTSH u bë objekt i drejtpërdrejtë kritikash edhe nga vetë kryeministri Edi Rama për menaxhimin e institucionit.







