Ballina Lifestyle Përleshja në Ferizaj: Nxori armën nga çanta dhe shtiu, një muaj paraburgim...

Përleshja në Ferizaj: Nxori armën nga çanta dhe shtiu, një muaj paraburgim ndaj Butës

107
0

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka vendosur një muaj paraburgim për reperin Betim Januzi i njohur si Buta, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri me inicialet E.H. dyshohet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, ndërsa B.J. dyshohet për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Alba Makolli, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe analizimit të provave në seancë dëgjimore.

Sipas dosjes së rastit, dyshohet se rreth orës 20:15, pas një fjalosjeje të çastit në një parking afër një lokali, E.H. e ka sulmuar B.J.-në me një mjet të mprehtë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjatë përleshjes, i dëmtuari ka pësuar prerje në dorë dhe lëndime në pjesë të tjera të trupit, të dokumentuara me raport mjekësor.

Në anën tjetër, B.J. dyshohet se gjatë përleshjes ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka shtënë dy herë në drejtim të tokës, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e personave përreth. Po ashtu, ai dyshohet se ka poseduar armën dhe municionin pa leje përkatëse nga autoritetet.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale dhe ka aprovuar kërkesën e prokurorit për paraburgim, duke theksuar se masa është e nevojshme për zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

Palët janë njoftuar se ankesa ndaj këtij aktvendimi nuk e pezullon zbatimin e masës së paraburgimit.