Ballina Opinion Diaspora mes dukjes dhe angazhimit

Diaspora mes dukjes dhe angazhimit

61
0

Nga Irena Beqiraj

Datat e mesprillit; 13-ta, 14-ta dhe 15-ta, janë ditë të shkëlqyera. Shqiptarë prej diaspore kanë fluturuar nga e gjithë bota për të marrë pjesë në atë që qeveria e quan “Samitin i tretë i diasporës”. Flamujt do të valëviten gjithkund dhe veshjet e salltanetet do të jenë pa të meta.

Gjithmonë, sa herë që diaspora mblidhet nëpër mitingje, samite apo netë gala, pyetja që përpiqem t’i gjej përgjigje është: si ka mundësi që diaspora shqiptare mobilizohet kaq fuqishëm rreth mitingjeve, samiteve e festave, dhe kaq rrallë rreth zgjidhjeve të problemeve politike dhe ekonomike të Shqipërisë?

Ndoshta sepse është më e lehtë për njeriun e larguar të përsosë dukjen e lidhjes me atdheun, ndërsa barra e riparimit të problemeve që shqetësojnë vendin u takon njerëzve që ende jetojnë aty.

Oh, shumë shqiptarë të diasporës që lexojnë këto rreshta do të argumentonin se remitancat vërtetojnë të kundërtën ! Se miliardat që dërgojnë në atdhe janë provë e mjaftueshme e besnikërisë së tyre ndaj tij. Por, për një ekonomist, paraja dhe angazhimi nuk janë e njëjta gjë. Madje, rritja e remitancave ndër vite ka zvogëluar presionin ndaj qeverive për të ndërmarrë reforma politike dhe ekonomike. Sepse, kur familjet mbështeten nga transfertat e diasporës, urgjenca e menjëhershme për të kërkuar qeverisje më të mirë nga shteti zvogëlohet, pasi njerëzit dalin nga nevoja imediate që, përndryshe, do të mund të nxiste presion qytetar.

Por kjo nuk është një kritikë ndaj njerëzve që dërgojnë para. Është thjesht një vëzhgim rreth faktit që transfertat individuale, sado të konsiderueshme, nuk tregojnë domosdoshmërisht një angazhim serioz karshi vendit.

Sikurse më duhet të pranoj që takoj edhe intelektualë të mirëfilltë në diasporë. Të frymëzuar, ata janë kuriozë, e ndiejnë tërheqjen. Intelektualë nga ata që e dinë se transformimi nuk ndodh në sallat e samiteve, por kur ulesh përballë një mësuesi, mjeku, pedagogu, punonjësi social i cili ka të njëjtin shqetësim në lidhje me qasjen ndaj zhvillimin por e sheh atë nga një këndvështrim krejtësisht i ndryshëm. Ata e dinë se angazhimi do të thotë të jesh i gatshëm të marrësh pjesë në takime pune, konsultime, dhënie opinionesh, workshop-e apo konferenca, leksione e forume gjatë gjithë vitit, pa tam-tame, pa daulle e pa shpenzime të tepërta, pa këngë e spektakël.

Kam dëgjuar shpesh prej tyre të njëjtat pyetje të qeta: Si mund të angazhohem në të vërtetë? Nga t’ia filloj? Me kë të lidhem në terren?

Edhe më duhet të them që shpesh nuk kam përgjigje për këto pyetje kaq të thjeshta, sepse mëmëdheu ynë ka ndërtuar “infrastrukturë” serioze vetëm për të mobilizuar paratë e diasporës.

Së fundmi, kësaj infrastrukture i është shtuar marketingu i Shqipërisë si “Maldivet e Europës”, ku, sipas qeverisë, çmimi i një apartamenti do të rritet shtatë herë sapo të hyjmë në Europë. Ky padyshim është një mekanizëm i ndërtuar me shumë mjeshtëri për të thithur edhe më shumë para nga diaspora, përtej remitancave. Ndaj jo fare çuditërisht për vitin 2025, investimet në pasuri të paluajtshme nga jorezidentët ishin rreth 33% e totalit të investimeve të huaja.

Ndërkohë, në atdhe nuk bëhet pothuajse asgjë për të mobilizuar fuqinë mendore të diasporës. Kjo asimetri është një mundësi e humbur dhe një gabim strategjik, sidomos tani në situata përçarjeje globale, ku idetë, ekspertiza, inovacioni, ndikimi dhe përcaktimi i axhendës kanë rëndësi po aq sa kapitali.

Diaspora shqiptare që sot ndodhet në Tiranë dhe qeveria shqiptare mjaftohen me samitet, ku bëhen shumë premtime retorike boshe për rolin më të gjerë të diasporës në vend. Por kapitali intelektual, nuk mobilizohet me samite. Pa një angazhim të qartë, ai mbetet i palidhur, i padukshëm dhe i papërdorshëm.

E ndërsa në samit do të shpërndahen për anëtarët e diasporës titujt e nderit “Shqiponja e Artë” dhe do të këndohet “O sa mirë me kenë shqiptar” apo “O ku ka si ty moj Shqipëria ime”, të tjerë mjekë, inxhinierë, studiues dhe zhvillues softuerësh, janë duke aplikuar për viza pune në Gjermani apo gjetkë. Qindra maturantë po përgatiten të lënë vendit për të studiuar nëpër botë, me endrrën e fshehur për të mos t’u kthyer më. Çdo njeri prej tyre nuk është vetëm një person më shumë i larguar në diasporë, duke na renditur një nga 10 vendet e para në botë për njerzit e arsimuar të larguar, por është një përparim i mundshëm, një e ardhme më e mirë, një zë që mund të kishte ndryshuar diçka.

Në tre ditë të këtij samiti, sikurse bëmë edhe në dy samitet e mëparshme, do të celebrojmë diasporën dhe arritjet individuale e shqiptarëve që lanë vendin sepse vendi nuk u ofronte të ardhme , por nuk do të gjejmë zgjidhje për qytetet që janë shndërruar si dhomat e dikurshme të miqve në shtëpitë tona, ku bijtë e bijat vijnë si vizitorë e numërohen si turistë, ku pagëzimet janë të rralla e funeralet të shpeshta…

Thënë shkurt, në tre ditë do të celebrojmë aftësitë tona individuale për të mbijetuar të vetëm , duke lënë mënjanë, si gjithmonë, paaftësinë tonë kolektive për t’u lidhur e bashkëpunuar realisht.

Sepse, siç thoshte Konica, rasti i vetëm kur shqiptarët bashkëpunojnë dhe koordinohen mes tyre është kur hedhin valle!