Ballina Politika Çfarë do të thotë thirrja e Ramës si dëshmitar, në gjyqin e...

Çfarë do të thotë thirrja e Ramës si dëshmitar, në gjyqin e Berishës

110
0

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë njoftoi të mërkurën më 15 prill vendimin e ndërmjetëm në çështjen penale për korrupsion në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, bashkëshortit të vajzës së tij, Jamarbër Malltezi dhe disa të pandehurve të tjerë, lidhur me kërkesat tyre dhe të SPAK, për marrjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve gjatë këtij procesi që po zhvillohet me procedurë të zakonshme.

Mes listës së gjatë të provave dhe dëshmitarëve të kërkuar në gjyq nga palët, kryesuesja e trupës gjyqësore, Elsa Ulliri lexoi edhe emrin e kryeministrit Edi Rama.

Rama është kërkuar si dëshmitar nga Berisha dhe të pandehurit e tjerë, për të dëshmuar në lidhje me vendimin e tij në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për ndryshimin e destinacionit të ambjenteve të ish-klubit sportiv “Partizani”, nga sportive në shesh ndërtimi, ç’ka i hapi rrugën ndërtimit të kompleksit të banimit.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj deklaroi para gazetarëve se Edi Rama thirret për herë të parë në procesin “Berisha”, ndërkohë që duhej të ishte thirrur që në fillim.

“Thirrja e kryeministrit ishte një domosdoshmëri dhe një mungesë e hetimit, pasi prokuroria në hetim ka thirrur Komisionin e Kthimit të Pronave, ka thirrur njerëz që kanë marrë urdhër nga Rama dhe nuk ka thirrur urdhërdhënësin që është Rama vetë. Kështu që thirrja e Ramës ishte një domosdoshmëri që gjykata nuk duhej ta anashkalonte,” tha Gjokutaj.

Avokati Gjokutaj i tha BIRN se thirrja e Edi Ramës është e rëndësishme për procesin, pasi kryeministri aktual është ai që ka realizuar ndryshimin e destinacionit të ambjenteve sportive në shesh ndërtimi, si dhe ka dhënë lejen e ndërtimit kur ka qenë kryetar i Bashkisë Tiranë.

Ndërkohë, Gjoktaj pretendoi pas seancës se gjykata e ka lehtësuar Ramën, duke mos pranuar provat që kanë paraqitur në formën e kërkuar nga ligji, me të cilat vërtetojnë thirrjet që Edi Rama ka bërë nga Asambleja dhe forumet e tjera të Partisë Socialiste për procedimin e Sali Berishës.

Në seancën e ardhshme, që do të zhvillohet më datë 30 prill në orën 12:30, gjykata thirri për t’u pyetur shtatë dëshmitarë të kërkuar nga SPAK; deputetin socialist, Taulant Balla në cilësinë e kallëzuesit; ish presidenti i klubit Partizani, Albert Xhani; ish shefi këtij klubi, Afrim Tole; ish drejtorët e kompleksit Isa Tare e Bujar Labinoti; ish drejtoresha e AKKP Tiranë, Dhurata Çela dhe topografi Petrit Kullolli.

Në listën e gjatë të dëshmitarëve të pranuar nga gjykata, është dhe vetë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Gjykata vendosi të pranojë shumicën e provave të kërkuara nga palët, mes tyre dhe pyetjen e ekspertëve që kanë kryer ekspertime gjatë hetimit, vendime të institucioneve, KRT-së dhe ministrive nga viti 1995 e në vijim që kanë lidhje me pronën dhe zhvillimin e saj, etj. Ndërkohë, nuk u pranuan disa blloqe të sekuestruara nga prokuroria që nuk figurojnë në procesverbalet e provave të sekuestruara. Lidhur me një kërkesë të të pandehurit Fatmir Bektashi për kryerjen e një ekspertimi financiar të projekteve, gjykata bëri me dije se do të shprehet pas këqyrjes së gjithë akteve të ekspertimit.

Çështja ndaj Berishës dhe të pandehurve të tjerë u përmbyll në tetor të vitit 2024, kur SPAK e dërgoi në gjykatë për shqyrtim gjyqësor me akuzat e korrupsionit. Berisha dhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama./BIRN