Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza dhe sfida të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalimit të tij në protestën e opozitës përpara Kryeministrisë, duke iu referuar edhe thirrjes së këtij të fundit si dëshmitar në çështjen “Partizani”.
Berisha deklaroi se Rama do të përballet në gjykatë për firmat e tij, duke e cilësuar procesin si një moment historik. “Ai u thirr të ulet në bankën e gjykatës, ballë për ballë për firmat e tij. Nga kjo tribunë u them shqiptarëve se do keni rastin të shihni në atë sallë përballjen e shekullit,” u shpreh ai.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit, Berisha e sfidoi atë që të përballet publikisht, duke ngritur dyshime se Rama mund të shmangë procesin gjyqësor. “Nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit dhe merr manovra si në raste të tjera, të sfidoj të zgjedhësh një studio televizive dhe të dalësh në debat,” deklaroi ai.
Në vijim, lideri i opozitës premtoi se do të paraqesë, sipas tij, fakte dhe dokumente për të provuar akuzat ndaj Ramës. “Hajde në debat, t’u faktoj shqiptarëve me fakte e dokumente se çfarë hajduti i pangopur je,” tha Berisha.







