Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të hënën në mëngjes në Salzburg të Austrisë.
Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për një aksident kur një autobus i transportit publik u përplas në hyrje të një supermarketi në lagjen Itzling.
Sipas mediave, dyshohet se shoferi pësoi një urgjencë mjekësore, duke humbur kontrollin e mjetit.
Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën në mënyrë tragjike.
Ndërkohë, raportohet se shoferi është dërguar në spital dhe i është nënshtruar një operacioni urgjent.
Veç këtyre, raportohet se ka edhe të tjerë të lënduar, me disa rëndë dhe të tjerë më lehtë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e shpëtimit, policia dhe zjarrfikësit, të cilët po trajtojnë të lënduarit dhe menaxhojnë situatën.
Dëme të mëdha materiale janë shkaktuar në fasadën e ndërtesës, ndërsa zona është rrethuar dhe trafiku është bllokuar.
Operatori Salzburg Linien ka shprehur ngushëllimet për viktimën dhe ka bërë të ditur se shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim.







