Një ngjarje tragjike është regjistruar gjatë garës së njohur Ironman Texas, ku një influencuese e fitnesit ka humbur jetën gjatë garës së notit.
38-vjeçarja braziliane Mara Flávia Souza Araujo, u raportua e zhdukur gjatë fazës së notit në ujërat e Liqenit Woodlands, pranë Hjustonit. Menjëherë pas sinjalizimit, ekipet e emergjencës nisën kërkimet intensive dhe ajo u gjet pa shenja jete rreth 90 minuta më vonë, në një thellësi rreth tre metra.
Sipas autoriteteve lokale, dyshohet se ajo ka ndërruar jetë si pasojë e mbytjes gjatë garës. Araujo ishte një sportiste me përvojë në triathlon, me të paktën nëntë gara Ironman të përfunduara dhe një prani të madhe në rrjetet sociale, ku ndante përditshmërinë e saj sportive dhe mesazhe motivuese për ndjekësit.
Organizatorët e eventit kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen dhe komunitetin sportiv, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.







