Ballina Ekonomia Milot Balldrenë drejt finalizimit/ MIE u kërkon kompanive të zgjasin afatin e...

Milot Balldrenë drejt finalizimit/ MIE u kërkon kompanive të zgjasin afatin e garancisë për koncesionin 1 mld euro

67
0

Koncesioni 1 miliardë euro për ndërtimin e autostradës Milot-Balldrenë duket se nuk do të ketë fatin e tenderit për Portin e Durrësit, që u anullua por mund të përmbyllet me sukses.

Kapitali ka mësuar se pak ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ka nisur shkresë zyrtare 4 kompanive pjesëmarrëse, që të zgjasin afatin e garancisë së ofertës edhe me tre muaj të tjera. Kjo për shkak se garancitë e paraqitura nga kompanitë në tender kanë përfunduar ligjërisht duke dalë nga afati 120 ditor.

Tenderi për dhënien me koncesion të rrugës Milot Balldrenë u zhvillua në mars të vitit të kaluar, pra më shumë se 1 vit më parë. Ndonëse para zgjedhjeve ish ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi se fituesi do të shpallej për çështje ditësh, procedura ka qenë e ngirë për gati 1 vit dhe për tenderin nuk ka patur asnjë zhvillim.

Megjithatë shkresa që MIE u ka drejtuar kompanive pjesëmarrëse sinjalizon riaktivizimin e proçedurës për shpalljen e fituesit të koncesionit dhe përmbylljen e tenderit. Kjo pasi në rast anullimi, ministria nuk kishte nevojë të kërkonte riaktivizimin e garancive të ofertave nga kompanitë.

Tenderi

Në tenderin për koncesionin 35 vjeçar të rrugës Milot-Balldrenë garojnë 4 kompani. Gener 2, Salillari, A.N.K dhe 4 A-M janë kompanitë që po përplasen të shtien në dorë kontratën e majme koncesionare, e cila për 35 vite pritet të arkëtojë plot 1 miliardë euro.

Ofertat për koncesionin e autostradës Milot-Balldrenë kanë rezultuar në tarifa kalimi që variojnë nga 1.6 deri në 1.9 euro. Kapitali ka mësuar se kompania A.N.K ka ofruar si çmim kalimi për automjetet e thjeshta tarifën 1.6 euro. Ndërkohë dy kompani të tjera, Gener 2 dhe Salillari kanë ofruar tarifën e kalimit 1.9 euro pa tvsh.

Segmenti Milot Balldrenë është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe Korridori Blu. Ky segment ka një gjatësi 17 kilometër dhe do të kushtojë 182.5 milionë euro vetëm si kosto ndërtimi. Nëse përfshihen dhe kostot e projektimit, ato të mirëmbajtjes dhe të operimit, investimi total i privatit është parashikuar 365 milionë euro për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit.

Kjo është hera e dytë që qeveria shqiptare tenton të japë me koncesion ndërtimin e autostradës Milot-Balldrene. Hera e parë ishte në vitin 2018, kur qeveria zgjodhi fituese të koncesionit kompaninë A.N.K, por me një tjetër model, atë të Partneritetit Publik Privat, sipas të cilit kompania do të ndërtonte rrugën me paratë e veta dhe do të paguhej për 13 vjet nga buxheti i shtetit deri në shlyerjen e investimit dhe fitimin e saj.

Por A.N.K nuk arriti ta ndërtonte rrugën pasi nuk gjeti paratë për ta financuar atë. Rrjedhimit qeveria e anulloi koncesionin për ta tenderuar sërish, por këtë herë me formulën e tarifës së kalimit për qytetarët, jo përmes shlyerjes nga buxheti.