Seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut u zhvillua këtë të mërkurë. Gjatë seancës, mbrojtja e të pandehurit ka kërkuar thirrjen e rreth 60 dëshmitarëve, duke argumentuar se dëshmitë e tyre janë të nevojshme për sqarimin e rrethanave të çështjes.
Vetë Haxhiu, i cili mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, nuk u paraqit fizikisht në sallën e gjyqit.
Lidhur me vendosjen e tritolit në dyqanin e reperit Noizy në Durrës, avokatët e tij kërkuan që të thirren si dëshmitarë Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur, si dhe Kleviol Ahmetaj, i njohur me nofkën “Cllevio”, i cili është ekstraduar disa muaj më parë nga Dubai.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Behar Dibra, kërkoi që procesi i marrjes së provave të nisë me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, rrëfimi i të cilit ka zbardhur dhe rënduar pozitën e grupit të Laert Haxhiut.
Seanca e radhës është caktuar për më 29 prill, në orën 08:30, ndërsa mbetet e paqartë nëse Laert Haxhiu do të paraqitet për tu përballur në GJKKO me ish-bashkëpunëtorin e tij.
Haxhiu ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, teksa mbi të rëndojnë disa akuza të veprave të rënda penale.
32-vjeçari njihet si organizatori dhe një nga autorët e masakrës së Lushnjes, ngjarje kjo e ndodhur në tetor të vitit 2017 ku u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, ndërsa u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.
Shënjestra ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjes, Aldo Bares, armik i Haxhiut.







