Ballina Ekonomia Rritja e çmimit të naftës, Shoqatat e Bizneseve 6 kërkesa qeverisë

Rritja e çmimit të naftës, Shoqatat e Bizneseve 6 kërkesa qeverisë

89
0

Rritja e çmimit të naftës ka nxitur reagimin e shoqatave të biznesit, të cilat kërkojnë ndërhyrje nga qeveria për të frenuar efektet në ekonomi. Sipas tyre, karburanti është një element strategjik për ekonominë dhe rritja e çmimit po krijon një efekt zinxhir në çdo sektor, nga prodhimi te shërbimet, duke ulur fuqinë blerëse, rritjen e kostove të prodhimit dhe dobësimin e konkurrueshmërisë së bizneseve.

Shoqatat e biznesit i janë më drejtuar me 6 kërkesa qeverisë shqiptare, ku më kryesorja është rishikimi i barrës fiskale, si edhe mbështetja për sektorët më të ekspozuar si transporti, bujqësia dhe agropërpunimi, industria prodhuese dhe fasoneria shërbimet dhe turizmi.

Shoqatat propozojnë masa afatmesme dhe afatgjata, si krijimi i rezervave strategjike të naftës, diversifikimi i burimeve të energjisë dhe investimet në energji alternative. Sipas tyre, nëse qeveria nuk do të ndërhyjë, pritet rritje çmimesh apo mbyllje biznesesh e largim punonjësish.

GJASHTË KËRKESAT NGA SHOQATAT E BIZNESEVE

1. Rishikimi i barrës fiskale

Është e domosdoshme rishikimi i përkohshëm dhe fleksibël i barrës fiskale mbi karburantet. Struktura aktuale e çmimit përfshin një peshë të konsiderueshme taksash, e cila rëndon mbi biznesin dhe konsumatorin. Një ndërhyrje e targetuar do të ndihmonte në stabilizimin e tregut.

Masa të tilla duhet të jenë në linjë me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat në periudha krize kanë aplikuar politika fiskale lehtësuese për të zbutur ndikimin mbi ekonominë dhe qytetarët.

2.Transparenca në përcaktimin e çmimit

Mungesa e transparencës në përcaktimin e çmimeve nga strukturat përkatëse mbetet shqetësuese. Kërkojmë publikim të rregullt të strukturës së çmimit; sqarim të faktorëve ndikues (tregjet ndërkombëtare, taksat, marzhet). Transparenca është thelbësore për rikthimin e besimit.

3. Forcimi i kontrollit të tregut

Institucionet duhet të garantojnë konkurrencë të ndershme përmes: monitorimit aktiv të operatorëve; hetimit të çdo rasti të mundshëm abuzimi apo marrëveshjeje të fshehtë si dhe luftës kundër informalitetit.

4. Mbështetje për sektorët më të ekspozuar

Sektorët si: transporti, bujqësia dhe agropërpunimi, industria prodhuese dhe fasoneria shërbimet dhe turizmi janë ndër më të goditurit dhe kërkojnë mbështetje konkrete. Instrumentet lehtësuese janë të domosdoshme për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe për të shmangur transferimin e plotë të kostove te konsumatori.

5. Masa afatmesme dhe afatgjata

– Krijimi i rezervave strategjike të naftës për të garantuar sigurinë energjetike në raste krize;

– Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe reduktimi i varësisë nga importet;

– Investime në energji alternative dhe rritje të efikasitetit energjetik;

6. Duhet të zhvillohet dialog i hapur, i rregullt dhe zhvillimor mes qeverive dhe biznesit, në mënyrë që masat kundër krizës energjetike të jenë reale, të zbatueshme dhe në funksion të ruajtjes së vendeve të punës, prodhimit dhe investimeve duke garantuar stabilitetin ekonomik dhe social ne hapësirën mbareshqiptare.

Deklarata është nënshkruar nga 12 organizata të biznesit, mes tyre Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Aleanca Kosovare e Bizneseve, Shoqata e Ndërtuesve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata Kombëtare e Transportit të Udhëtarëve të Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Bimëve Medicinale, PRO-Eksport Albania dhe Shoqata e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare.