Ballina Europë Operacion i madh antidrogë në Itali: sekuestrohen 183 kilogramë kokainë, 4 shqiptarë...

Operacion i madh antidrogë në Itali: sekuestrohen 183 kilogramë kokainë, 4 shqiptarë të arrestuar

109
0

Sipas autoriteteve italiane, aksioni u zhvillua në zonën midis Trevisos dhe Mantovës dhe u koordinua nga Prokuroria Publike e udhëhequr nga Michele Permunian, në bashkëpunim me Skuadrën Fluturuese të Trevisos.

Hetimet nisën në nëntor, duke u fokusuar fillimisht në trafikun e drogës në zona të frekuentuara pranë spitalit Ca’ Foncello dhe në parkingje publike. Më 3 prill, policia arrestoi një 44-vjeçar në stacionin San Trovaso në Preganziol, i cili u kap me rreth 7 kilogramë kokainë të fshehura në automjetin e tij. Ai dyshohet si lidhje kyçe e një rrjeti kriminal që shpërndante drogë në rajon.

Goditja kryesore erdhi më pas në Roverbella, ku u arrestua një 48-vjeçar shqiptar me rreth 20 kilogramë kokainë të fshehura në një automjet me ndarje sekrete. Në një apartament në Porto Mantovano u zbuluan edhe 156 kilogramë të tjerë kokainë, së bashku me 56 mijë euro cash. Në banesë ndodheshin gjithashtu dy persona të tjerë, të cilët janë vënë në arrest.

Policia sekuestroi gjithashtu tre automjete të modifikuara për fshehje të drogës dhe pesë telefona celularë, të cilët po analizohen për të identifikuar rrjetin e shpërndarjes dhe lidhjet e organizatës.

Autoritetet italiane e kanë cilësuar operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pjesë të një hetimi afatgjatë për shkatërrimin e rrjeteve kriminale në veri të vendit.