Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) ka zbardhur lejen e një projekti tepër të veçantë në vijën veriore të bregdetit shqiptar. Bëhet fjalë për një projekt në Bashkinë Lezhë, ku shoqëria “Dukagjini Group” sh.p.k. ka marrë miratimin për ndërtimin e një objekti me funksion banimi dhe shërbimesh, me 1 deri në 6 kate mbi tokë dhe 1 deri në 3 kate nëntokë.
Vendimi nr. 22, i datës 28 maj 2025, i miratuar nga KKTU dhe i zbardhur tashmë nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, përcakton se leja jepet me kushte dhe hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.
Në vijim, AZHT ka bërë edhe dorëzimin formal të dokumentit të lejes së ndërtimit, duke i kërkuar subjektit që të njoftojë institucionin 15 ditë përpara fillimit të punimeve, si dhe të paraqesë kontratat me sipërmarrësit dhe mbikëqyrësit e punimeve, sipas legjislacionit në fuqi.
Ky projekt lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet që po marrin formë në zonën e Shëngjinit, ku interesi për investime në rezidenca dhe struktura turistike vijon të rritet. Në të njëjtën zonë është prezantuar edhe koncepti arkitektonik “The Northern Apartments”, një projekt me karakter të fortë vizual dhe integrim në terren, që synon të shfrytëzojë maksimalisht panoramën detare dhe relievin natyror.
Në tërësi, zbardhja e kësaj lejeje është një tjetër tregues i ritmit të lartë të zhvillimeve në territor, ku Shëngjini dhe zona përreth po pozicionohen gjithnjë e më shumë si një nga polët e rinj të investimeve në sektorin imobiliar dhe turistik në Shqipëri.
Projekti i referuar si “The Northern Apartments” në Shëngjin, në skajin verior të vijës bregdetare shqiptare, paraqet një koncept arkitektonik që ndërthur formën organike me funksionalitetin modern. I projektuar nga Studio Precht në bashkëpunim me W10 Architects, objekti karakterizohet nga volume të tarracuara me tulla, tone natyrore dhe linja të harkuara, duke krijuar përshtypjen e një strukture të gdhendur drejtpërdrejt nga relievi i malit.
Ndërtesa është konceptuar si një sistem i shtresëzuar hapësirash të jashtme, ku çdo nivel ofron pamje panoramike drejt detit, ndërsa konturet e rrumbullakosura dhe format e buta krijojnë një lidhje të fortë me peizazhin përreth. Qasja në projekt realizohet përmes një rruge malore, që thekson edhe më tej integrimin me terrenin natyror.
Projekti tashmë pret nisjen e punimeve për realizimin e tij dhe synon të krijojë një ambient të qëndrueshëm dhe afatgjatë, ku fasadat e gjelbra dhe elementët prej druri ndërveprojnë me forma industriale më të theksuara. Kjo qasje përfaqëson një kombinim të arkitekturës së frymëzuar nga natyra me minimalizmin bashkëkohor, duke e pozicionuar projektin si një nga zhvillimet më të veçanta në bregdetin shqiptar. /ekofin.al








