Ballina Aktualitet Kontenieri me mallra të bllokuara në Durrës dërgohet gabimisht në Pire të...

Kontenieri me mallra të bllokuara në Durrës dërgohet gabimisht në Pire të Greqisë, nis hetimi

140
0

Mungesa e një magazine doganore ka krijuar probleme në mbajtjen e mallrave të bllokuara në portin detar të Durrësit.Rreth 100 kg mallra, konkretisht atlete, pantallona dhe kufje, të bllokuara nga Dogana e Durrësit për verifikim në sheshin e konteinerëve, u vendosën në fillim të muajit në një kontenier bosh. Bllokimi u bë nga dogana në pritje të përgjigjes nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme për vlerësimin nëse janë mallra origjinale apo imitime.

Burime nga Dogana e Durrësit bëjnë me dije për gazetaren e Top Channel Vali Qyrfyçi se më 9 prill u konstatua mungesa e kontenierit nga ana e doganës dhe menjëherë nisi puna për të kuptuat ku kishte përfunduar.

Nga verifikimet rezultoi se agjencia e transportit detar e kishte nisur gabimisht drejt Pireut, duke e konsideruar bosh. Me të marrë dijeni kontenieri është kthyer me anije dhe pritet të hapet nesër, në prani të prokurorisë së Durrësit dhe Hetimit Doganor.

Sipas burimeve, malli është i inventarizuar dhe me hapjen e kontenierit do të bëhet dhe verifikimi përkatës.