Ballina Lifestyle “Nuk merrem me zhurmat”: Victoria Beckham flet për tensionet me Brooklyn

“Nuk merrem me zhurmat”: Victoria Beckham flet për tensionet me Brooklyn

89
0

Victoria Beckham ka zgjedhur të qëndrojë larg polemikave publike që kanë përfshirë raportin me djalin e saj të madh, Brooklyn, duke theksuar se nuk lejon që komentet e jashtme të ndikojnë tek ajo.

E pranishme në TIME100 Summit, stilistja dhe ish-ylli i “Spice Girls” u shpreh se prej vitesh ka mësuar të mos i kushtojë rëndësi thashethemeve. “Gjithmonë do të ketë zëra dhe opinione. Unë thjesht zgjedh të mos i dëgjoj,” u shpreh ajo, duke shtuar me një notë ironie se as nuk dëshiron të informohet për to.

Victoria theksoi se përvoja e gjatë në qendër të vëmendjes e ka ndihmuar të krijojë një “mburojë” ndaj kritikave, ndërsa mbështetja kryesore mbetet bashkëshorti i saj, David Beckham. “Ai është gjithmonë aty për mua, ashtu si edhe unë për të,” tha ajo.

Pak kohë më parë, ajo kishte reaguar për herë të parë mbi raportet e tensionuara me Brooklyn, duke nënvizuar se ajo dhe David kanë bërë gjithçka për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe përkujdesje.

Sipas raportimeve në media, marrëdhënia mes Brooklyn dhe familjes së tij është ftohur pas martesës me Nicola Peltz në vitin 2022. Thuhet se ai është distancuar ndjeshëm, madje duke kufizuar kontaktet.

Në fillim të këtij viti, Brooklyn tërhoqi vëmendje me një deklaratë në rrjetet sociale, ku la të kuptohej se nuk ishte i gatshëm për pajtim dhe akuzoi prindërit për ndërhyrje në jetën e tij personale, përfshirë edhe episodet gjatë dasmës së tij.