Ballina Lifestyle Hailey Bieber sjell versionin modern të Calvin Klein

Hailey Bieber sjell versionin modern të Calvin Klein

79
0

Disa adhurues të modës, duke parë etiketat e Calvin Klein në fustanin e Hailey Bieber në Time100 Gala, mund të kenë menduar se bëhet fjalë për një homazh të drejtpërdrejtë ndaj Carolyn Bessette-Kennedy – ikonës së minimalizmit të viteve ’90. Por realiteti i këtij interpretimi është më i nuancuar.

Themeluesja e “Rhode” u shfaq në tapetin e kuq më 23 prill me një fustan maxi që i përshtatej trupit si një “lëkurë e dytë”, duke krijuar një siluetë elegante dhe të ngjitur. Mbi bazën në ton lëkure, ishte vendosur një shtresë motive lulesh metalike në argjend, që jepte efektin e një pikture mbi trup – një estetikë moderne dhe e guximshme, larg minimalizmit të pastër klasik.

Sipas deklaratës së Calvin Klein, veshja është krijuar posaçërisht për Bieber-in, por është e frymëzuar nga një model që kishte dalë në pasarelën e koleksionit pranveror të vitit 1992. Ky detaj e lidh look-un me arkivin e hershëm të shtëpisë së modës, një periudhë kur Calvin Klein ishte po aq i njohur për fushatat ikonike me Kate Moss, sa edhe për figurat që formësonin prapaskenën e estetikës së tij, përfshirë Carolyn Bessette-Kennedy dhe Kelly Klein.

Megjithatë, Bessette-Kennedy – e cila mbetet simbol i një minimalizmi të rreptë dhe të rafinuar – vështirë se do ta kishte zgjedhur këtë qasje vizuale. Stili i saj i njohur përbëhej nga linja të pastra, ngjyra bardh e zi dhe silueta të mbyllura, shpesh nga shtëpi si Yohji Yamamoto, Jean Paul Gaultier apo Versace në daljet e saj të rralla publike.

Në këtë kuptim, fustani i Bieber-it nuk është një rikthim nostalgjik i stilit të CBK-së, por më shumë një riinterpretim bashkëkohor i arkivave të Calvin Klein-it – ku vintage-i nuk kopjohet, por transformohet në një gjuhë personale të modës.