Ballina Bota Revista prestigjioze mjekësore ‘The Lancet’ refuzon kërkesën e Senatit amerikan për të...

Revista prestigjioze mjekësore ‘The Lancet’ refuzon kërkesën e Senatit amerikan për të paraqitur prova mbi origjinën e Covid-19

73
0

Revista prestigjioze mjekësore “The Lancet” ka refuzuar të paraqesë prova në një hetim të Senatit të SHBA-së lidhur me origjinën e pandemisë Covid-19. Lajmi u bë i ditur nga kryeredaktori i saj, Richard Horton, gjatë një interviste për Reuters.

“Morëm një kërkesë për të dëshmuar në një hetim të Senatit, por nuk do ta bëjmë këtë”, deklaroi Horton gjatë eventit Reuters Pharma në Barcelonë, duke nënvizuar qëndrimin e prerë të revistës ndaj kërkesës amerikane.

Ai shtoi se “The Lancet” nuk do të bashkëpunojë “me një qeveri që ka sulmuar disa nga shkencëtarët më të rëndësishëm të kohës sonë”, duke iu referuar trajtimit që administrata e Donald Trump i ka bërë ish-zyrtarit të lartë të shëndetësisë, Anthony Fauci.

Fauci, i cili udhëhoqi përgjigjen ndaj pandemisë në SHBA, është përballur me kërcënime për jetën dhe kritika të forta nga Trump dhe figura të tjera republikane. Madje, vitin e kaluar, presidenti vendosi t’i heqë mbrojtjen e sigurisë që i ishte ofruar si ish-zyrtar i lartë federal.

Horton bëri të ditur se në dhjetor 2025 revista kishte marrë një kërkesë për të dorëzuar të gjitha dokumentet që lidhen me koronaviruset për periudhën 2018–2022, përfshirë emaile, shënime dhe studime. Një kërkesë e ngjashme iu drejtua edhe revistës Science.

Këto kërkesa lidhen me hetimin e drejtuar nga senatori republikan Rand Paul, i cili po shqyrton financimet amerikane për një laborator virologjik në Wuhan të Kinës, qyteti ku u shfaqën rastet e para të Covid-19 në fund të vitit 2019.

Zyra e senatorit nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment, ndërsa Horton theksoi se “fokusi mbetet ende tek ajo që ndodhi në Wuhan në fund të vitit 2019”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe shumica e komunitetit shkencor mbështesin teorinë se virusi ka origjinë natyrore. Megjithatë, hetimet ndërkombëtare janë penguar nga mungesa e transparencës dhe të dhënave nga Kina.

Nga ana tjetër, agjencitë amerikane të inteligjencës kanë deklaruar vitin e kaluar se një rrjedhje nga laboratori mbetet një skenar i mundshëm për shpërthimin e pandemisë, duke mbajtur të hapur debatin global mbi origjinën e Covid-19.