Ballina Bota U shkel për vdekje nga një tufë elefantësh, milioneri amerikan humb jetën...

U shkel për vdekje nga një tufë elefantësh, milioneri amerikan humb jetën në Afrikë

96
0

Një biznesmen amerikan, Ernie Dosio, ka humbur jetën tragjikisht pasi u sulmua dhe u shkel për vdekje nga një tufë elefantësh gjatë një safari në Afrikë.

Sipas raportimeve të Daily Mail, duke cituar organizatorin e safarit Collect Africa, 75-vjeçari ndodhej në parkun tropikal Lope-Okanda National Park, ku po merrte pjesë në një gjueti të organizuar.

Ngjarja ndodhi teksa Dosio dhe një gjuetar profesionist po kërkonin gjah, përfshirë buaj pyjorë dhe antilopa. Papritur, ata u përballën me një tufë prej pesë elefantësh femra së bashku me një këlysh. Duke u ndjerë të kërcënuara, kafshët reaguan me agresivitet dhe sulmuan.

Gjuetari profesionist u plagos rëndë gjatë përplasjes dhe humbi armën, ndërsa Dosio, megjithëse i armatosur, nuk arriti të mbrohej dhe u shkel nga elefantët.

Sipas të afërmve, viktima ishte një gjuetar me përvojë të gjatë dhe kishte marrë pjesë në shumë safari të licencuara si në Afrikë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata theksuan se aktivitetet e tij ishin zhvilluar brenda rregullave të kontrollit të faunës.

Elefanti afrikan është kafsha më e madhe tokësore në botë dhe mund të bëhet jashtëzakonisht e rrezikshme kur ndjen kërcënim, veçanërisht nëse në tufë ka këlyshë. Femrat mund të arrijnë shpejtësi deri në 40 km/orë, duke e bërë pothuajse të pamundur shmangien e një sulmi në distancë të afërt.