Ballina Kosovë Zgjedhja e presidentit të ri, LVV fton PDK-në dhe LDK-në të paraqesin...

Zgjedhja e presidentit të ri, LVV fton PDK-në dhe LDK-në të paraqesin tre kandidatura

87
0

Partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), njoftoi të shtunën herët se u ka kërkuar dy partive më të mëdha opozitare në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), t’i paraqesin së bashku tre kandidatë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

Thirrja e partisë në pushtet të shtunën – e cila sipas saj vlen deri të dielën në mbrëmje – vjen teksa një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit mbaron të martën.

LVV theksoi në Facebook se do t’i tërhiqte kandidatët e deritanishëm të saj – zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku – nga gara për president, nëse dy partitë opozitare i sjellin tre emrat e kërkuar.

Ajo shkroi se ky vendim u mor gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së partisë të premten mbrëma.

“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”, shkroi ajo.

Ajo tha se që të tre kandidatët duhet të jenë “figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike”.

“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, shkroi LVV-ja.