Ballina Ekonomia Nga ndihma sociale, te varfëria energjetike: Projektligji i ri zgjeron kategorinë e...

Nga ndihma sociale, te varfëria energjetike: Projektligji i ri zgjeron kategorinë e “klientëve në nevojë

80
0

Ministria e Infrasturkturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik ndryshimet në ligjin për sektorin e energjisë elektrike, ku një nga risitë lidhet me mënyrën se si përcaktohen dhe mbështeten “klientët në nevojë”. Ndryshe nga ligji aktual, projektligji i ri synon të kalojë nga një qasje e kufizuar sociale drejt një koncepti më të gjerë të varfërisë energjetike.

Sipas draftit, statusi i klientit në nevojë do të vazhdojë të përcaktohet nga Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe në konsultim me Entin Rregullator të Energjisë. Por për herë të parë, përveç të ardhurave dhe nivelit të konsumit, në vlerësim përfshihen edhe faktorë si shpenzimet për energji dhe kushtet e efiçencës energjetike të familjeve.

Kjo do të thotë se përfitues nuk do të jenë vetëm familjet me të ardhura të ulëta, por edhe ato që, pavarësisht të ardhurave, përballen me kosto të larta energjie apo jetojnë në banesa me efikasitet të dobët energjetik.

Projektligji parashikon gjithashtu një sistem më të strukturuar për identifikimin dhe ndjekjen e kësaj kategorie. Klientët në nevojë do të regjistrohen në një regjistër të posaçëm nga strukturat sociale, ndërsa të dhënat e tyre do t’u përcillen operatorëve të shpërndarjes dhe furnizuesve të energjisë.

Një tjetër element i ri është detyrimi për raportim ndërkombëtar, ku Ministria duhet të njoftojë Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për masat e ndërmarra në mbrojtje të klientëve në nevojë.