Një aksident tragjik me pasojë dy viktima ka ndodhur në rrugën dytësore Lezhë–Kakarriq, ku kanë humbur jetën një baba dhe vajza e tij.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se aksidenti ka ndodhur në orët e pasdites, ndërsa automjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i përmbysur në një kanal anësor.
Të shqetësuar për mungesën e tyre, kanë qenë familjarët që kanë nisur kërkimet. Vetëm pak kohë më parë, gjatë një patrullimi rutinë, policia ka konstatuar automjetin e përmbysur në kanal, ku janë gjetur edhe dy viktimat pa shenja jete.
Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se viktimat mund të kenë qenë punëtorë në kampin e Gjadrit.







