Ballina Politika “PD në Gjirokastër ekziston vetëm në letër, mbajeni si pronën tuaj”/ Armando...

“PD në Gjirokastër ekziston vetëm në letër, mbajeni si pronën tuaj”/ Armando Rabi tërhiqet nga gara për kryetar dhe akuzon

119
0

Armando Rabi, një nga kandidatët për të drejtuar degën e PD Gjirokastër është tërhequr nga gara, duke hedhur akuza të forta ndaj lidershipit të partisë dhe drejtuesit politik. Nëpërmjet një shënimi në faqen e ti në FB, Rabi, shkruan se në PD e Gjirokastrës, gara nuk lejohet dhe akoma më keq seksionet dhe strukturat nuk ekzistojnë.

Postimi i Armando Rabit

Të dashur demokratë. Sot po ju drejtohem me një vendim të vështirë, por të ndershëm: Kam vendosur të tërhiqem nga gara për kryetar të PD, dega Gjirokastër.

Ky nuk është një vendim që e mora vetëm.

Është një vendim që lindi nga bisedat me ju, nga mesazhet tuaja, motivuese, nga zhgënjimi që ndjeva çdo ditë që nga momenti kur shpalla kandidaturën time, nga drejtuesi politik i qarkut Gjirokastër.

Shumë prej jush më thatë:

“Nuk do të ketë zgjedhje. Të kot e ke” Dhe fatkeqësisht, kjo doli e vërtetë.

Jo sepse demokratët nuk i duan zgjedhjet, por sepse disa nuk i duan demokratët.

Unë shkova, trokita, kërkova vetëm një gjë të thjeshtë: Të respektohet statuti, dhe të ketë garë të ndershme.

Pas shumë përpjekjesh, gara u hap…

por jo për të qenë e lirë, por për t’u kapur, për t’u manipuluar, për t’u mbytur nga intrigat dhe propaganda…

Dhe më e rënda? Në kryesi u tha hapur nga deputeti:

Nëse Armando është në garë me këtë ish kryetar, e ka të fituar.

Atëherë unë po ju pyes: ku ishte problemi nëse unë fitoja?

Kujt i prishte punë një fitore e ndershme?

Pse duhej të ndalej kjo garë që në fillim?

E vërteta është e hidhur: PD në Gjirokastër sot nuk është ajo që njohim.

Strukturat janë vetëm në letër.

Seksionet nuk ekzistojnë.

Demokratët nuk dëgjohen. Për vite me radhë nuk ka pasur zë, nuk ka pasur qëndresë, nuk ka pasur opozitë reale.

Dhe kur kjo u tha hapur, në sy të të gjithëve, prapë u tentua të mbahej gjithçka siç është. Jo për demokratët, por për interesa personale.

Jo për Partinë, por për pazare.

Unë nuk mund të jem pjesë e kësaj.

Nuk mund të hesht kur më kërkohet të hesht.

Nuk mund të mbyll sytë kur shoh padrejtësi.

Nuk mund të bëj kompromis me ndërgjegjen time.

Unë jam një demokrat si ju. Vij nga një familje që ka dhënë 35 vite për këtë parti, pa kërkuar asgjë në këmbim.

Kam qëndruar çdo ditë në opozitë, jo vetëm në kohë zgjedhjesh. Kam folur kur duhej të flitej, edhe kur më thanë të hesht.

Sot po largohem nga një garë e deformuar, por nuk po largohem nga ju.

Do të jem mes jush, krah jush, si gjithmonë.

Sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt.

Ajo është e demokratëve të ndershëm.

Dhe zëri i tyre nuk shuhet. Sado që përpiqen.

Mbajeni partinë si pronë tuajën…por dijeni një gjë: zërin e demokratëve nuk do ta shuani dot kurrë.