Historiania Enriketa Papa ka ndarë në rrjetet sociale një fragment nga shënimet e Mehdi Frashërit, duke rikthyer në vëmendje një nga momentet më dramatike të historisë shqiptare: ditët që paraprinë pushtimin italian të 7 prillit 1939.
Në një postim në Facebook, Papa shpjegon se arsyeja pse historia mbetet kaq tërheqëse lidhet pikërisht me këto dëshmi të drejtpërdrejta të njerëzve që kanë qenë protagonistë të ngjarjeve që ndryshuan fatin e vendit.
“Pse e dua historinë? Për këto zbulime leximesh, të dëshmitarëve të ngjarjeve që kanë ndryshuar fatet e vendit”, shkruan ajo.
Sipas saj, pjesë nga shënimet e Mehdi Frashërit zbulojnë atmosferën e tensionuar të atyre ditëve, me pasiguri, debate dhe qëndrime të ndryshme mes drejtuesve politikë të kohës. Shënimet fillojnë më 3 prill 1939 dhe përfundojnë më 7 prill, ditën kur trupat italiane zbarkuan në Shqipëri.
Në një nga fragmentet më domethënëse, Mehdi Frashëri përshkruan një bisedë me Mbretin Zog lidhur me propozimet e italianëve:
“Mbreti më pyeti përshtypjet e mia mbi propozimin e italianëve. Unë iu përgjigja tue i thënë se, këto propozime i ngjasojnë fjalëve të një njeriu që të paraqitet si mik por që tjetrit i kërkon gruan. Karshi një gjëje të këtillë nuk mbetet veçse t’i përgjigjesh me armë kur të shkelë pragun e shtëpisë dhe i shtova se unë në një komision të këtillë nuk mund të marr pjesë.”
Në vijim të shënimeve, Frashëri tregon se e këshilloi Mbretin të përgatitej për luftë dhe të largonte menjëherë familjen nga vendi.
“Në fund unë ika dhe duke ikur kap mënjanë mbretin, dhe e këshillova që të largonte fëmijën një orë e më parë dhe të pregatitet për luftë. Edhe unë me gjithë dy djemt e mij do të shkojë të luftonjë. Një sakrificë e këtillë do të na krijonte të drejta historike, mund të provokonte edhe një luftë të përgjithshme.”
Sipas Papës, dokumente të tilla janë dëshmi të drejtpërdrejta të përplasjes së ideve dhe dilemave që përjetuan drejtuesit e Shqipërisë në prag të pushtimit, duke ofruar një perspektivë më të gjallë mbi vendimet dhe debatet e asaj kohe.







