Ballina Aktualitet Procedura/ Databazë kombëtare e strehimit, do të regjistrohen të dhënat e banesave...

Procedura/ Databazë kombëtare e strehimit, do të regjistrohen të dhënat e banesave sociale

91
0

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka propozuar projektvendimin për ngritjen e një dataze që do të përmbajë të dhënat e strehimit në nivel kombëtar.

Sipas projektvendimit “Për krijimin e bazës së të dhënave të strehimit social në nivel kombëtar”, përcaktohet se në databazë, të dhënat për strehimin social do të kategorizohen në parësore dhe dytësore.

Në të dhënat parësore do të përfshihet, numri i banesave të ndërtuara nga programet e banesave sociale, përfshirë sipërfaqen e trojeve, inventarin e tyre, kushtet fizike dhe teknike aktuale, banesat që kanë dalë jashtë funksionit etj.

Përveç të dhënave me nevoja për strehim nëpërmjet programeve sociale, fondet e buxhetit për mbështetje, database do të përmbajë të dhëna edhe për numrin e banesave në rrezik shembjeje duke përcaktuar adresën e saktë.

Në vend zbatohen gjashtë programe kombëtare të strehimit.

Enti Kombëtar i Banesave (EKB) është institucioni përgjegjës për zbatimin e programit të ndërtimit të banesave me kosto të ulët, një nga gjashtë programet kombëtare të strehimit. Sipas të dhënave të EKB-së për Monitor, që prej vitit 1994 deri në 2025 nëpërmjet këtyre programeve janë strehuar rreth 11,492 familje.

Sistemi aktual i strehimit social, bazuar në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social”, të përditësuar me ndryshimet e ligjit nr. 48/2023 ofron disa programe të targetuara për shtresat në nevojë, përfshirë ndërtimin me kosto të ulët dhe subvencionimin e qirasë.

Përzgjedhja e përfituesve bazohet në kritere si: mungesa e banesës, mbipopullimi, rreziku nga shembja, statusi familjar ose social, dhe përkatësia në grupe të margjinalizuara.

Më herët kryeministri Edi Rama njoftoi gjithashtu se qeveria është në proces të krijimit të një Agjencie Kombëtare të Planifikimit Urban dhe Strehimit, që do të fokusohet në një qasje të re ndaj strehimit social, si dhe në iniciativa për të lehtësuar blerjen e banesave nga shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme. “Do t’i qasemi në një mënyrë të re strehimit social, duke krijuar mundësi reale për ata që sot e kanë të pamundur të blejnë një banesë në tregun e lirë”, pohoi më herët.

Të dhënat parësore në sistem:

1.Nevojat për strehim, me programe sociale strehimi;

2. Inventarin e banesave sociale me qira, pronë publike;

3. Kushtet fizike dhe teknike të banesave sociale me qira;

4.Numrin e familjeve të strehuara me programet sociale të strehimit;

5.Sipërfaqen e nevojshme të truallit që duhet pajisur me plan zhvillimi dhe infrastrukturë për ndërtim banesash;

6. Sipërfaqet e trojeve, të pajisura me infrastrukturë për ndërtim banesash;

7. Numrin e banesave të ndërtuara me kosto të ulët:

8. Inventarin e godinave të dala jashtë funksioni, pronë publike, të cilat parashikohen të shtohen në fondin publik të banesave sociale;

9. Nivelin e qerasë mesatare të miratuar me vendim të këshillit të njësive të vetëqeverisjes vendore;

10. Sipërfaqen dhe numrin e banesave sociale të përfituara nga zbatimi i nenit 19 i ligjit për strehimin social:

11.Numrin e banesave në rrezik shembjeje duke përcaktuar adresën e saktë;

12. Strategjitë kombëtare 10-vjeçare të strehimit;

13. Programet 5-vjeçare të njësive të vetëqeverisjes vendore për strehimin;

14. Fondet e buxhetit të shtetit për mbështetjen e realizimit të programeve vjetore të strehimit, bazuar edhe në kërkesat e njësive të vetëqeverisjes vendore;

15. Informacionet për administrimin e kërkesave për strehim nga njësitë e vetëqeverisjes vendore;

16. Koston mesatare vjetore të ndërtimit të banesave, në kuadër të programeve të këtij ligji, e cila miratohet çdo vit me udhëzim të Këshillit të Ministrave;

17. Shpërndarjen e fondeve që financohen nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera financimi;

18. Realizimin e investimeve në programet sociale të strehimit me financime ose bashkëfinancime nga buxheti i shtetit;

18. Programet e strehimit që zbaton Enti Kombëtar i Banesave.

b. Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga:

i. Sistemi i të dhënave REVALB; ii. Sistemi i të dhënave ROMALB./Monitor