Ballina Politika Rikandidimi për drejtimin e PD, Berisha: Ndërhyra për të shpëtuar partinë kur...

Rikandidimi për drejtimin e PD, Berisha: Ndërhyra për të shpëtuar partinë kur pashë duar të zeza

102
0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference me gazetarët është pyetur mbi kandidimin e tij për postin e kryetarit të PD-së në zgjedhjet e 23 majit, në kushtet kur ai e ka drejtuar këtë forcë politike për dekada.

Në përgjigjen e tij, Berisha kërkoi një vlerësim “objektiv” të situatës politike në vend, duke e cilësuar regjimin aktual si një “narkodiktaturë” dhe “diktaturë autokratike që bazohet në farsën elektorale dhe në shtypjen e pluralizmit”.

Berisha deklaroi se, sipas tij, një nga objektivat kryesore të kësaj “diktature” ka qenë shndërrimi i Partisë Demokratike në një “fasadë” të pushtetit. “Në aleate në bashkëqeverisje, fasadë pra. Aty një njeri ndërhyri, dhe ky ishte Sali Berisha,” u shpreh ai.

Duke iu referuar rikthimit të tij në drejtimin aktiv të partisë, Berisha theksoi se ndërhyrja e tij nuk erdhi në momentin kur u shpall “non grata”, por më vonë. “Unë nuk ndërhyra kur u shpalla non grata, jo, dhe e them sërish, nuk më shërbente. Por kur pashë duar të zeza të kontrollonin partinë e demokratëve, atëherë ndërhyra fuqishëm dhe bashkë me demokratët e shpëtuam këtë parti,” deklaroi ai.

Sipas tij, pas kësaj ndërhyrjeje, Partia Demokratike është rikthyer në “genet e saj” dhe funksionon si “parti e parimeve”. Ai kritikoi gjithashtu drejtimin e mëparshëm të PD-së, duke pretenduar se në vitin 2021 kishte përpjekje për bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama. “Ai që drejtonte partinë kishte preokupim si të bënte koalicion me Edi Ramën, jo farsën zgjedhore,” tha Berisha.

Në vijim, ai vlerësoi se në vitet e fundit, përfshirë 2023 dhe 2025, Partia Demokratike ka arritur të denoncojë proceset zgjedhore në vend. “PD arriti të gozhdojë Edi Ramën si armik të votës së lirë, arriti të mbrojë votën e shqiptarëve, në kuptimin që në institucionet më prestigjioze të vlerësimit të zgjedhjeve u zbulua si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri,” u shpreh Berisha.