Jamal Musiala ndoshta duhet të kufizoj konsumimin e mediave para ribashkimit emocional me PSG.
Sepse ka një gjë që ai nuk dëshiron ta shoh më: pamjet e dëmtimit të tij të rëndë në këmbë.“Sigurisht që nuk do t’i shoh më ato,” tha 23 vjeçari gjatë rikthimit të gjatë drejt formës së tij më të mirë.
Natyrisht, në prag të gjysmëfinales të Ligës së Kampioneve, do të ketë rikujtime të shumta për dramën që ndodhi më 5 korrik 2025, në Kupën e Botës për Klube. Musiala pësoi një dëmtim të rëndë gjatë humbjes 2-0 të Bajernit kundër parizienëve, pas një përplasjeje të fortë me portierin Xhanluixhi Donaruma, i cili kishte dalë nga porta.
Kushdo që pa pamjet televizive të këmbës së tij nuk do t’i harroj kurrë. Musiala qëndronte i shtrirë në fushë duke bërtitur nga dhimbja, ndërsa shokët e skuadrës qëndronin rreth tij të tronditur. Lojtari i Bajernit u transportua me avion drejt Gjermanisë një ditë më pas.
Fibula e thyer dhe kyçi i këmbës i dëmtuar rëndë iu nënshtruan operacionit. Pasuan muaj të tërë rehabilitimi, si dhe disa pengesa të vogla gjatë rrugës. Rrethi mbyllet të martën në ndeshjen e parë gjysmëfinale.
297 ditë pas Atlantës, Musiala do të përballet sërish me PSG, megjithëse pa Donarumën, i cili tani luan për Mançester Sitin. Dhe Musiala duket gati për këtë test mendor dhe për momente të tjera magjike. Në fitoren spektakolare 4-3 të Bajernit në Mainz, ai shkëlqeu si zëvendësues, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asist.
“Ajo festë, ajo buzëqeshje, kur një lojtar ofensiv e ka këtë, atëherë gjithçka është në rregull,” tha trajneri Vinsent Kompani më pas.
Sipas tij, Musiala po ndjen sërish “atë liri” në lojën e tij dhe pikërisht në momentin e duhur, në fazën vendimtare të garës për trofe dhe vetëm disa javë para Kupës së Botës në Amerikë. Musiala duket përsëri i patrembur në fushë. Ai është përmirësuar fizikisht gjatë dhjetë muajve të fundit. ”
Bëj shumë gjëra shtesë për ta mbajtur këmbën time në gjendje të mirë,” tha ai. Frika? “Përpiqem të mos mendoj fare për të. Kam më shumë besim te këmba ime me çdo ndeshje.”







