Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se po përgatit një seri të kufizuar pasaportash përkujtimore për 250-vjetorin e SHBA-së, të cilat do të përfshijnë imazhin e presidentit Donald Trump.
Kjo do ta bënte shefin aktual të Shtëpisë së Bardhë kryetarin e parë në detyrë që shfaqet në një dokument të tillë zyrtar udhëtimi, njofton AP.
Sipas autoriteteve, nga 25 mijë deri në 30 mijë dokumente të tilla do të jenë në dispozicion për aplikuesit në zyrën e pasaportave në Uashington, pak para 4 korrikut.
Pasaporta e re do të ketë dizajn të veçantë me elemente artistike dhe masa të avancuara sigurie, duke ruajtur standardet e larta të dokumenteve amerikane. Në një nga faqet e brendshme do të vendoset fotografia e Trumpit së bashku me nënshkrimin e tij në formë të artë. Ndërkohë, kopertina do të ketë një dizajn të ndryshuar nga ai standard, me mbishkrime të arta dhe elemente simbolike që lidhen me përvjetorin.
Ky veprim është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të rritur prezencën e Trump në simbolet publike, përfshirë iniciativa për vendosjen e emrit dhe imazhit të tij në dokumente dhe objekte të rëndësishme, përfshirë edhe kartëmonedha dollarëshe.







