Ballina Opinion Pamja e Ilir Metës, antireklama më e madhe e reformës në drejtësi

Pamja e Ilir Metës, antireklama më e madhe e reformës në drejtësi

95
0

Nga Ardit Rada

Ka diçka thellësisht shqetësuese në pamjen e fundit të Ilir Meta në sallën e gjyqit. Jo për atë që ai përfaqëson politikisht, as për historinë e tij të gjatë në pushtet, por për atë që ajo pamje i thotë publikut për drejtësinë që kemi ndërtuar me aq shumë pritshmëri. Një figurë e rrudhur, e zbehur, e tkurrur përtej viteve të saj, një imazh që nuk i ngjan as retorikës së fortë që Meta ka përdorur ndër vite, as profilit të një ish-presidenti dhe nuk është as në propocion me çfarëdolloj mëkati të ketë bërë në lëmin e korrupsionit. Dhe pikërisht këtu lind problemi: pamja e Ilir Metës në fakt ka nxjerrë zbuluar anën e errët të drejtësisë së reformuar duke u kthyer në antireklamën më të madhe të saj.

Edhe pse vetë Meta e mohoi kequshqyerjen apo një gjendje depresive, është e qartë se kushtet e paraburgimit dhe kufizimet e vendosura ndaj tij, përfshirë heqjen e disa privilegjeve si ndëshkim për intervistat telefonike, kanë lënë gjurmë. Por drejtësia nuk është ndëshkim përtej vendimit. Nuk është proces që duhet ta konsumojë njeriun me kocka e lëkurë para se ta dënojë ligji.

Nga reforma në drejtësi, shqiptarët nuk kërkuan spektakël ndëshkues. Kërkuan efikasitet, transparencë dhe standard. Kërkuan hetime të shpejta, gjykime të qarta dhe vendime të drejta. Mundësisht edhe kthimin e pasurive të vjedhura nëse vërtetohen, por jo ndëshkime fizike. Sot, përkundrazi, kemi procese të tejzgjatura që humbasin në mjegullën e procedurave dhe paraburgime që zgjasin përtej çdo logjike. Aq sa nuk kuptojmë më as në çfarë shkalle gjykimi janë disa. Për cilën akuzë po gjykohen dhe çfarë rekursesh bëjnë. Më saktë, çdo herë që raportohet për një gjyq VIP, ngjan si një déjà vu.

Të mos harrojmë se masa e paraburgimit që ka sjellë edhe pasojat në fjalë, është i akuzuari i madh. Përfshirë këtu edhe kritikat nga BE që përdorimin e tepruar të kësaj mase e ka futur si temë diskutimi mes Brukselit dhe Tiranës. Nisma e kreut të Gjykatës së Lartë, për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj është në thelb një reagim i nevojshëm, por i vonuar.

Në vend të standardit të ri, sot kemi një drejtësi që mat suksesin me orë izolimi, me kufizim lirish dhe me një presion fizik e psikologjik që nuk i përket një shteti europian. Edhe rastet si ai i Erion Veliajt apo Ilir Beqajt tregojnë të njëjtin model: dënim publik përpara vendimit gjyqësor. Një gjyq paralel që zhvillohet në opinion, ndërsa ai real zvarritet në korridoret e drejtësisë.

Pamja e Ilir Metës në kafaz nuk është vetëm një moment televiziv. Është një kambanë alarmi. Sepse nëse tek një ish-president paraburgimi lë gjurmë të tilla, çfarë ndodh me qytetarin anonim që nuk ka as zë, as vëmendje mediatike? Çfarë mbrojtjeje ka ai përballë një sistemi që duket se ka humbur ekuilibrin mes drejtësisë dhe ndëshkimit?

Askush nuk kërkon privilegje për Metën. Ai nuk është klient hoteli me pesë yje. Por është një i paraburgosur që duhet të trajtohet sipas standardeve minimale njerëzore. Sepse drejtësia nuk matet me ashpërsinë e kushteve ku mbahet i akuzuari, por me efikasitetin e procesit.

Reforma në drejtësi u mendua si një kapitull i ri që do të sillte profesionalizëm, paanshmëri, dinjitet. Sot, rrezikon të perceptohet si një sistem represiv që e konsumon individin përpara se ta provojë fajësinë e tij. Dhe kjo nuk është drejtësia që u premtua.

Nëse drejtësia e “5 yjeve”, siç ironizonte prokurori Dado, përfundon duke ngjarë me realitete që i kemi parë dikur, atëherë problemi nuk është më tek individët që gjykohen. Problemi është te vetë sistemi që po i gjykon. Dhe pikërisht kjo nuk i duhet askujt, kryesisht atyre që investuan te reforma: Që drejtësia me kushtet si “hotel me 5 yje” të ngjajë prap më atë të Kavalishencës tek Plepat.