Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Bulqizë është ndërprerë mes tensioneve të shkaktuara nga prania e banorëve të Gjoricës, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e paneleve fotovoltaike në zonën e tyre.
Banorët shprehen se projekti prek drejtpërdrejt kullotat që ata kanë përdorur prej vitesh për blegtorinë, duke vënë në rrezik burimet e tyre të jetesës. Ata pretendojnë gjithashtu se procesi i miratimit të projektit ka pasur parregullsi, duke theksuar se firmat në mbështetje të tij janë mbledhur edhe nga persona që nuk janë banorë të Gjoricës.
Situata u përshkallëzua më tej me praninë e forcave të shumta të policisë, të cilat penguan hyrjen e banorëve në sallën ku pritej të zhvillohej mbledhja. Sipas raportimeve, edhe këshilltarët e djathtë nuk janë lejuar të hyjnë, pasi dera e sallës ka qenë e mbyllur.
Atyre u është komunikuar se mbledhja është shtyrë për një datë tjetër, ndonëse orari i parashikuar për zhvillimin e saj nuk kishte mbërritur ende.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe funksionimin e institucioneve vendore, ndërsa banorët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe projekti të rishqyrtohet.







