Partia Demokratike ka hyrë zyrtarisht në një fazë të re të procesit të saj të brendshëm zgjedhor, ndërsa këtë të enjte, më 30 prill, në orën 12:00 ka përfunduar afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të forcës më të madhe opozitare në vend. Ky proces pritet të përcaktojë drejtimin e ardhshëm politik të partisë në një moment të rëndësishëm për opozitën.
Në lidhje me zhvillimet, juristi Rezart Kthupi, i ftuar në nje emision televiziv, ka ngritur disa pikëpyetje mbi mënyrën se si po zhvillohet gara. Ai ka vënë në diskutim procedurat e ndjekura për depozitimin e kandidaturave, duke shprehur dyshime mbi barazinë e kushteve për kandidatët dhe respektimin e standardeve statutore.
Sipas Kthupit, procesi zgjedhor brenda partisë po shoqërohet me kontestime mbi seriozitetin dhe transparencën, ndërsa ka aluduar se gara mund të jetë e paracaktuar në favor të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai ka theksuar gjithashtu se interpretimi i statutit dhe zbatimi i rregullave brenda partisë mbeten çështje të debatueshme.
“Këtu nuk arrin që të depozitosh dokumentet. Kam një pyetje, Berisha kur i depozitoi dokumentet? Pse Berisha është kandidat? A i plotëson ai kushtet e pastërtisë të figurës, ndërkohë që është nën hetim? Flamur Noka nuk mund të përgjigjet për diçka, që nuk ka lidhje. Të gjitha këto copëza, po bëhen që Berisha kur të fitojë, të fitojë 99.99%.
Kandidimi i Merjemes, është vetëm për procedurë, sepse nuk mund të kandidonte vetëm. Zgjedhjet po bëhen që Berisha të dominojë. I urojmë suksese kandidates, por serioziteti, tregon që ne nuk kemi zgjedhje, por procedura. Procesi i zgjedhjes nuk ka seriozitet. Isha i sigurt që Salianjit nuk do i pranohej kandidimi. Strategjia ishte e gabuar. Duhet të hynte me një grupim që synonte kupolën e PD. Më vjen shumë keq ta them, por statutin në PD mund të shkruash çfarë të duash. Statutin në PD e interpreton Berisha. Po të ishte për statutin Berisha nuk do të ishte fare në PD”, tha Kthupi.







