Ballina Aktualitet Mayweather përballet me krizë financiare, rrezikohet ndeshja me Zambidis

Mayweather përballet me krizë financiare, rrezikohet ndeshja me Zambidis

79
0

Legjenda e boksit, Floyd Mayweather Jr., po përballet me një situatë të re të ndërlikuar jashtë ringut, pasi raportohet se mund t’i hiqet pasaporta për shkak të problemeve financiare, gjë që rrezikon seriozisht sfidën e tij të radhës.

Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, përfshirë “Ring Magazine”, autoritetet amerikane po e ndjekin nga afër situatën e Mayweather-it për shkak të një borxhi të konsiderueshëm tatimor ndaj IRS, që thuhet se tejkalon 7.25 milionë dollarë.

Nëse ish-kampioni nuk arrin të zgjidhë çështjen me pagesë ose marrëveshje të re, ekziston mundësia që pasaporta e tij të revokohet, çka do t’i ndalonte udhëtimin jashtë SHBA-së.

Ky zhvillim do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në duelin e planifikuar më 27 qershor në Athinë, ku Mayweather është parashikuar të përballet me ikonën greke të kikboksit, Mike Zambidis, në një ndeshje ekzibicioni.

Përballja ishte vendosur pas dështimit të një tjetër sfide të përfolur me Mike Tyson, e cila u anulua për shkak të problemeve me transmetimin dhe dëmtimeve.

Mayweather, 49 vjeç, i cili u tërhoq nga boksi profesionist në vitin 2017, ka zhvilluar tetë ndeshje ekszibicioni që prej asaj kohe, duke përfshirë përballje me figura të njohura të rrjeteve sociale si Logan Paul dhe Deji Olatunji.

Pavarësisht situatës së tensionuar, raportohet se kampi i tij po shqyrton disa opsione për të shmangur bllokimin e udhëtimeve, përfshirë shlyerjen e plotë të borxhit ose një plan të ri pagesash.

Ndërkohë, në horizont mbetet edhe një tjetër projekt i madh: një revansh i mundshëm me Manny Pacquiao-n, për të cilin negociatat janë ende në zhvillim dhe që mund të rikthejë një nga rivalitetet më të mëdha në historinë e boksit.