Ballina Politika Ndërpriten për të dytën herë zgjedhjet e PD-së në Korçë, pretendohet se...

Ndërpriten për të dytën herë zgjedhjet e PD-së në Korçë, pretendohet se listat e votuesve janë grisur, tensioneve mes votuesve dhe komisionerëve. Reagon Salianji

99
0

Zgjedhjet për kreun e degës së PD në Korçë janë ndërprerë sërish për shkak të listave të votuesve pasi disa prej votuesve nuk gjejnë dot emrat. Ndërkohë ka edhe pretendime që listat e votuesve janë grisur.

Votimi për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike në Korçë është ndërprerë që në orët e para të mëngjesit këtë të diel mes tensioneve dhe akuzave për manipulim të procesit.

Ervin Salianji ka reaguar në rrjetet sociale, duke thënë se demokratët janë guximtarë dhe sipas tij, nuk pranojnë imponime nga njerëz që nuk dihet nga vijnë e kujt i shërbejnë.

Sipas Salianjit, është e papranueshme që regjimi Rama–Berisha të kërkojë haptas që Partia Demokratike, dega Korçë, t’i falet Niko Peleshit.

Demokratët janë guximtarë, jo dele! I përgëzoj që nuk po lejojnë bashkëqeverisjen në Korçë! Demokratët e Korçës nuk pranojnë imponime nga njerëz që nuk dihet nga vijnë e kujt i shërbejnë. Është e papranueshme që regjimi Rama–Berisha të kërkojë haptas që Partia Demokratike, dega Korçë, t’i falet Niko Peleshit. Peleshin demokratët e mundin me votë; nuk pranojnë që ai t’i drejtojë nga prapaskena, me kulisa, tendera dhe përfitime. Korça nuk shitet, demokratët nuk përdoren!”, shkruan Salianji.

Procesi në degën e PD Korçë u bllokua pasi një numër i konsiderueshëm drejtuesish lokalë, kryetarë dhe sekretarë seksionesh në qytet dhe fshatra nuk gjetën emrat e tyre në listat e votimit, duke u përjashtuar kështu nga e drejta për të votuar.

Kjo situatë ka ngritur dyshime të forta për ndërhyrje dhe selektim të qëllimshëm të elektoratit brenda partisë.

Në garë për drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Korçë janë sekretari aktual, Irvin Bode, dhe rivali i tij, Harito Zoto. Ky i fundit ka reaguar publikisht, duke deklaruar se procesi nuk mund të vijojë nëse listat nuk rishikohen dhe nuk garantohet një garë e ndershme.