Ballina Aktualitet Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë i bëjnë ‘qokën’ Sadushit: Rishikohet...

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë i bëjnë ‘qokën’ Sadushit: Rishikohet praktika për ‘arrest në burg’

97
0

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin të rishikojnë praktikën unifikuese për caktimin e masave të sigurisë, duke sjellë ndryshime të pjesshme të praktikës së njësuar të vitit 2011 lidhur me masat e sigurimit personal “arrestit në burg”.

Të thirrura me iniciativë të kryetarit të kësaj gjykate, Sokol Sadushi, Kolegjet e Bashkuara i  bënë ‘qokën’ kryetarit duke vendosur ndryshimin e pjesshëm të praktikës, ndërsa rrëzuan rekursin e Prokurorisë së Apelit për shtetasin Begtash Zeneli, dosje e cila vuri në lëvizje kolegjet e bashkuara. Për këtë të fundit lanë në fuqi masën ‘arrest në shtëpi’.

Sipas vendimit të sotëm Gjykata ka detyrimin të arsyetojë se përse masat alternative janë të papërshtatshme për t’u caktuar. Në lidhje me rrezikshmërinë e personit, Kolegjet e Bashkuara ndajnë qëndrimin se gjykatat duhet të analizojnë personalitetin e personit dhe se rrezikshmëria e personit mund të nxirret nga rrezikshmëria e veprës apo masa e dënimit.

Kolegjet e Bashkuara përcaktuan tri rregulla kryesore:

Së pari, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret.

Së dyti masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme.

Pra rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa.

Së treti:  barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë.

Gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj informon se vendimi ka qenë unanim.

Vendimi pritet të shërbejë si udhërrëfyes për gjykatat, duke synuar një praktikë më të njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë personale.

Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara  
Kolegjet e Bashkuara qartësojnë se kufizimi më i rëndë i lirisë personale kërkon shqyrtim real të alternativave, arsyetim të individualizuar dhe përgjegjësi konkrete të prokurorisë për të justifikuar nevojën e arrestit në burg.

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në përbërje të 16 gjyqtarëve, kanë marrë vendim mbi standardet që duhet të udhëheqin gjykatat në caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.

Çështja u shqyrtua pas nismës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili, në ushtrim të rolit kushtetues dhe ligjor të Gjykatës së Lartë për garantimin e një praktike gjyqësore të njëtrajtshme, të qëndrueshme dhe të parashikueshme, vuri në lëvizje Kolegjet e Bashkuara për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve të evidentuara në praktikën gjyqësore lidhur me mënyrën se si kërkohej, arsyetohej, kontrollohej dhe zbatohej masa “arrest në burg”, si dhe për ta orientuar këtë praktikë drejt standardeve kushtetuese e konventore për mbrojtjen e lirisë personale.

Kolegjet e Bashkuara vlerësuan se praktika gjyqësore kërkonte qartësim, saktësim, standardizim, ndryshim dhe zhvillim të mëtejshëm në mënyrën e kuptimit dhe zbatimit të masës “arrest në burg”. Përmes këtij vendimi, Kolegjet orientojnë gjykatat drejt zbatimit të standardeve në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke ritheksuar se kufizimi më i rëndë i lirisë personale nuk mund të mbështetet në formulime të përgjithshme, por kërkon arsyetim konkret, të individualizuar dhe të kontrollueshëm.

Kolegjet e Bashkuara përcaktuan tri rregulla kryesore:
Së pari, formulimi i mëparshëm, sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Për këtë arsye, gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes.

Së dyti, masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa.

Së treti, barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë.

Gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri.

Ky vendim ka rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, pasi qartëson kushtet, kufijtë dhe mënyrën e arsyetimit të masës “arrest në burg”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe standardet e GJEDNJ-së. Në këtë mënyrë, Kolegjet e Bashkuara forcojnë qëndrueshmërinë, njëtrajtshmërinë dhe parashikueshmërinë e praktikës gjyqësore, duke vendosur në qendër garancitë e lirisë personale dhe nevojën për një kontroll gjyqësor real, konkret dhe proporcional.

Në çështjen konkrete, Kolegjet e Bashkuara lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke vlerësuar se rekursi i prokurorisë nuk gjente mbështetje në ligj.

Vendimi i plotë dhe i arsyetuar i Kolegjeve të Bashkuara do të vihet në dispozicion brenda afatit ligjor dhe do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.