Ballina Politika Letra Rama-Vuçiç/ Ferit Hoxha i del zot shefit: Është një opinion që...

Letra Rama-Vuçiç/ Ferit Hoxha i del zot shefit: Është një opinion që e bën rrugën drejt BE më të prekshme…

76
0

Letra e përbashkët e Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç, e publikuar në një media gjermane dhe që sugjeron pranimin e vendeve respektive në Bashkimin Europian edhe pa të drejtë vetoje, ka risjellë prej ditësh në vëmendjen e shqiptarëve aleancën antishqiptare mes Ramës dhe Vuçiçit në dëm të shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërsa kritikat janë përqendruar te mesazhi që kjo nismë përcjell për rajonin dhe veçanërisht për Kosovën, reagimi zyrtar nga Tirana ka ardhur në një linjë mbrojtëse ndaj kreut të ekzekutivit, dhe kjo gjë vjen nga kreu i diplomacisë shqiptare, Ferit Hoxha, i cili ka mbrojtur letrën dhe është përpjekur ta relativizojë atë duke i dhënë nota pozitive.

Para komisionit parlamentar, ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, u përpoq ta relativizojë përmbajtjen e letrës, duke e cilësuar atë si “thjesht një opinion” që synon të afrojë rrugën drejt BE-së. Një argument që në pamje të parë tingëllon teknik, por që lë hapur shumë pikëpyetje mbi peshën reale të një qëndrimi të firmosur nga dy liderë rajonalë.

Ministri këmbënguli se nuk bëhet fjalë për ndonjë aleancë apo projekt të përbashkët politik mes Shqipërisë dhe Serbisë, pavarësisht se letra është një akt i koordinuar publik. Ky interpretim, megjithatë, ishte një përpjekje qesharake e ministrit Hoxha për të minimizuar një veprim që në vetvete mbart një simbolikë të fortë politike dhe diplomatike. Në fund të fundit, kur dy liderë flasin me një zë në një platformë ndërkombëtare, është e pamundur të shitet si një mendim i rastësishëm.

Hoxha theksoi gjithashtu se qëndrimi i Shqipërisë ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar dhe “i palëkundur”, duke tentuar të shuajë shqetësimet se një afrim i tillë me Beogradin mund të interpretohet si lëshim. Por pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i turpit të asaj letre: si mund të jetë i palëkundur një qëndrim, kur paralelisht promovohet një qasje e përbashkët me një shtet që ka pozicione diametralisht të kundërta për çështjen e Kosovës?

Argumenti i “pragmatizmit” dhe “dialogut”, i përdorur nga ministri, nuk është i ri, por në këtë rast duket se përdoret si një mbulesë për një nismë që nuk është konsultuar gjerësisht dhe nga vetë Bashkimi Europian është cilësuar si e njëanshme. Për më tepër, ideja e heqjes dorë nga vetoja – një instrument kyç i sovranitetit në BE – ngre pikëpyetje serioze mbi çfarë është realisht në tavolinë dhe kush përfiton nga një propozim i tillë.

Në përpjekje për ta paraqitur letrën si një hap drejt afrimit europian, qeveria shqiptare duket se po anashkalon një debat thelbësor: a mund të ndërtohet një rrugë e besueshme drejt BE-së duke relativizuar instrumente të rëndësishme vendimmarrjeje dhe duke krijuar konfuzion në raport me aleatët strategjikë në rajon, ku hapur, nga kryeministri shqiptar Serbia paraqitet si aleat më i besueshëm se Kosova?

Në fund, më shumë sesa një “opinion”, kjo letër ka hapur një diskutim të gjerë mbi drejtimin e politikës së jashtme shqiptare dhe vasalitetin që Edi Rama ka krijuar nda presidentit serb Aleksandër Vuçiç.