Ballina Opinion Metamorfoza e kapitalit kriminal: Nga fitimi i paligjshëm në pushtet politik dhe...

Metamorfoza e kapitalit kriminal: Nga fitimi i paligjshëm në pushtet politik dhe dominim strukturor

55
0

Nga Endrit Reka

Dikur maksima klasike e hetimit financiar ishte ‘ndiq paranë.’Por në realitetin e sotëm të kapjes shtetërore dhe kriminalitetit të sofistikuar, kjo qasje nuk mjafton më. Për të kuptuar ndikimin real të kapitalit kriminal, nuk duhet vetëm të ndjekim paranë, duhet të ndjekim pushtetin që ajo prodhon.

Tabela ‘Rrugëtimi i Kapitalit Kriminal Drejt Pushtetit Politik’ shpjegon hap pas hapi mënyrën se si kapitali kriminal depërton në ekonominë shqiptare, ndikon politikën dhe krijon një sistem që ushqen vetveten. Kjo tabelë përmban edhe referencat përkatëse me shifra konkrete.

Megjithatë, edhe kjo analizë nuk mund të përmbledhë të gjithë shembujt konkretë që ilustrojnë këtë transformim. Ata janë aq të shumtë, sa për hir të lexuesit po shmangen në këtë trajtim. Në praktikë, qeverisja aktuale ka prodhuar një katalog pothuajse gjithëpërfshirës të rasteve studimore, të matshme në katër dimensione: cilësi, sasi, intensitet dhe shtrirje.

Krimi në Shqipëri ka kaluar nëpër disa faza ku pëson një metamorfozë në kuptimin e plotë të saj, por pa humbur thelbin. Qëllimi i tij nuk ishte thjesht të bëjë para, por t’i kthejë ato para në pushtet, mbrojtje dhe kontroll afatgjatë mbi shtetin dhe ekonominë.

Procesi filloi me gjenerimin e parave të pista përmes trafikut të drogës, kontrabandës, korrupsionit dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Por paratë nuk qëndruan jashtë sistemit për shumë gjatë. Ato u futën në ekonomi përmes kanaleve informale, bizneseve fasadë, depozitimeve të fragmentuara dhe skemave të pastrimit financiar.

Më pas, këto para u investuan në sektorë si ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, turizmi, tregtia dhe shërbimet – sektorë ku kapitali i madh qarkullon më lehtë dhe merr pamje të ligjshme.

Në këtë pikë, kapitali kriminal nuk është më vetëm problem i rendit publik. Ai u bë aktor ekonomik me ndikim real në treg.

Por ky proces nuk u ndal me kaq.

Pasi fitoi peshë ekonomike, ky kapital filloi të kërkojë ndikim politik – financoi fushata, ndërtoi rrjete patronazhistësh, bleu vota dhe krijoi lidhje me vendimmarrësit. Qëllimi është i qartë: të siguronte qasje në pushtet.

Pasi u arrit kjo, filloi faza më e rrezikshme e gjithë ciklit -mos-ndëshkueshmëria. Institucionet u dobësuan më shumë, drejtësia u bë selektive, hetimet tashmë pengohen dhe shteti ka humbur aftësinë për të vepruar kundër rrjeteve që kanë depërtuar në të.

Në fund, kapitali kriminal nuk u mjaftua më me mbrojtje. Ai tani la deformuar vetë ekonominë: ka krijuar monopole, ka përqendruar tregun në pak duar, ka eliminuar konkurrencën dhe po tani kemi një klasë oligarkësh që ndërtojnë pasurinë mbi lidhjen mes parasë, politikës dhe ndikimit. Kjo ka arritur deri në atë pikë sa janë propozuar edhe ligje të perceptuara publikisht si të dizajnuara për interesa të kompanive të veçanta private.

Problemi themelor është se ky nuk është një proces që ndodh një herë dhe përfundon. Ky është një cikël i vetëpërforcueshëm dhe me mekanizëm të mbyllur rigjenerimi. Fitimet riinvestohen, ndikimi rritet, kontrolli zgjerohet dhe sistemi riprodhon vetveten.

Prandaj lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të reduktohet vetëm në arrestime apo sekuestrime. Sfida reale është ndërprerja e lidhjes midis kapitalit kriminal, ekonomisë dhe pushtetit politik.

Sepse në momentin që kapitali kriminal kap pushtetin, ai nuk blen vetëm mbrojtje – ai fillon të ndryshojë vetë mënyrën se si funksionon shteti.