Goditja e sistemit të mbyllur korruptiv në sektorin dixhital dhe nxjerrja jashtë lojë e AKSHI-t ka filluar të japë efektet e para pozitive për taksapaguesit. Për herë të parë, një tender në teknologjinë e informacionit është fituar me kursim të konsiderueshëm të parasë publike.
Bëhet fjalë për kontratën e instalimit të portave elektronike të kalimit në Portin e Durrësit dhe atë të Sarandës. Tenderi për instalimin e e-gate në dy portet më të rëndësishme të vendit u zhvillua nga Operatori i Blerjeve të Përqëndruara. Fondi limit i këtij tenderi ishte përcaktuar 137 milionë lekë ose 1.43 milionë euro.
Në garë morën pjesë 7 kompani ose bashkime kompanish dhe fituese paraprake e kontratës u shpall bashkimi i kompanive Albascan dhe Image & Communications Development me ofertë 100 milionë lekë ose 37 për qind në fondin limit.

Albascan është kompania e përfshirë në skandalin e tenderave të laboratorëve smart dhe pronari i saj Elison Jorgjis është nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Por pjesa më e madhe e tregut të IT-së në Shqipëri, tashmë është e zhytur në korrupsion dhe do të duhet shumë kohë që tregu të pastrohet.
Nga ana tjetër, paraqitja e 7 ofertave në një tender të sektorit dixhitale përbën një tjetër rekord. Përgjithësisht tenderat e AKSHI-t kryheshin me nga dy oferta pjesëmarrëse, ku njëra në të shumtën e rasteve ishte fiktive, dhe fitoheshin gjithmonë në kokë të fondit limit.
Por me zhbërjen e AKSHI-t dhe kalimin e tenderave të IT-së tek Operatori i Blerjeve të Përqendruara duket se muzika ka ndryshuar.
Megjithatë kthimi i kontratave publike të sektorit dixhital në koston reale të tyre do të kërkojë shumë më tepër se kaq. Të gjithë tenderat e IT kanë qenë të programuar në buxhetin e AKSHI-t për këtë vit dhe fondet limite të caktuara janë dukshëm mbi kostot reale, dy deri në trefish, siç dëshmuan edhe dosjet e SPAK.
Ndaj Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të duhet të rishikojë një pjesë të tyre ose të rihapë sërish testimet e tregut duke kërkuar ofertat paraprake nga të gjitha kompanitë dhe jo nga një sistem i mbyllur siç ndodhte në AKSHI./kapitali







