Ballina Ekonomia BSH mban normën bazë në 2.5%, Sejko: Rritja e inflacionit pritet të...

BSH mban normën bazë në 2.5%, Sejko: Rritja e inflacionit pritet të jetë e lehtë dhe kalimtare

59
0

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.

Guvernatori, Gent Sejko, tha se parashikimet e skenarit bazë sugjerojnë se rritja e çmimeve të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore do të shkaktojë një rritje të lehtë dhe të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë vitit 2026, si dhe një ngadalësim margjinal të ritmit të rritjes ekonomike në vend. Bazuar në këto premisa, efektet e goditjes pritet të jenë kalimtare edhe të mos lenë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit.

“Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë është bazuar në supozimin e një zgjidhjeje relativisht të shpejtë të konfliktit. Pozicioni i shëndoshë fillestar i ekonomisë shqiptare sugjeron se goditja e çmimeve do të sjellë një rritje të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim. Megjithatë, kjo rritje pritet të jetë e lehtë dhe kalimtare; me përfundimin e efektit direkt të goditjes dhe kontrollin e efekteve indirekte të saj, inflacioni pritet të zbresë gradualisht drejt objektivit në afatin e mesëm. Po ashtu, ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme pozitive rritjeje gjatë viteve në vijim, të përafërta me vlerësimet tona për potencialin e zgjerimit të aktivitetit ekonomik. Për momentin, rritja e pasigurisë dhe shtrenjtimi i faturës së importit të naftës pritet të kenë një ndikim negativ, por vetëm margjinal dhe kalimtar, në treguesin e rritjes ekonomike të vitit 2026,” tha Sejko.

Megjithatë, ai theksoi se konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare.

“Ndikimi i tij në ekonomi dhe në inflacion do të varet dukshëm nga kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit, duke e zhvendosur balancën e rreziqeve në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm,” u shpreh Guvernatori.

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2.5% në tremujorin e parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të lehtë në krahasim me tremujorin paraardhës. Kjo ecuri u diktua nga rritja e çmimeve të qirave dhe të naftës, si dhe nga stabilizimi në nivel vjetor i çmimit të energjisë elektrike për familjet. Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve dhe të artikujve të tjerë të shportës patën një ecuri më të stabilizuar.

“Kahu i ecurisë së inflacionit në tremujorin e parë ishte në përputhje me pritjet tona dhe ky tregues vijon të mbetet ende nën objektiv. Megjithatë, rritja e shpejtë e çmimeve të naftës në tregjet botërore në muajin mars dha menjëherë ndikimin e saj në inflacionin e këtij muaji, duke ilustruar fillimin e transmetimit të saj në ekonominë shqiptare.

Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit gjatë tremujorëve të fundit është diktuar nga rritja e presioneve të brendshme dhe nga nivelet e ulëta të inflacionit të importuar. Megjithatë, duke përjashtuar inflacionin e lartë të qirave, i cili pritet të ketë natyrë kalimtare, presionet e brendshme mbeten në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve. Nga ana tjetër, nivelet e ulëta të inflacionit të importuar janë diktuar, në një masë të konsiderueshme, nga forcimi i kursit të këmbimit. Megjithatë, rritja e çmimit të naftës dhe përcjellja e tij në artikujt e tjerë, pritet të shoqërohet me rritje të inflacionit të importuar gjatë tremujorëve në vijim,” tha Sejko.

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar në rritje të punësimit e të pagave në sektorin privat jo-bujqësor, dhe në një normë papunësie në nivelin 8.3%, çka përbën dhe nivelin minimal historik të këtij treguesi në periudhën post-tranzicion.

Megjithatë, Sejko tha se rritja relativisht e shpejtë e pagave nuk është transmetuar në rritje të çmimeve të konsumit, si pasojë e absorbimit të saj pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe nga rënia e marzhit të fitimit të bizneseve për njësi./ Monitor