Ballina Aktualitet Sa qindra mijëra euro mori gjyqtari Genti Shala për të liruar Mirlindën...

Sa qindra mijëra euro mori gjyqtari Genti Shala për të liruar Mirlindën e AKSHI-t?

101
0

Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj Mirlinda Karçanajt, ish-drejtoreshës jetëgjatë të AKSHI-t, ka ngritur një valë pikëpyetjesh mbi integritetin dhe logjikën e drejtësisë së re përballë figurave që kanë menaxhuar qindra miliona euro.

Edhe pse dosja e SPAK-ut e rreshton Karçanajn si pjesë të një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në skema korruptive me tenderat e teknologjisë, trupa gjykuese, e udhëhequr nga relatori Genti Shala, ka zgjedhur një qasje çuditërisht “bujare”.

Në qendër të këtij debati publik nuk qëndron vetëm emri i të akuzuarës, por roli i gjyqtarit relator, i cili ka pasur peshën kryesore në filtrimin e provave dhe orientimin e kolegëve drejt këtij vendimi.

Ndërkohë që për bashkëpunëtorët e tjerë në të njëjtën dosje, si Erjon Ismaili apo Gëzim Hoxha, gjykata ka treguar dorë të hekurt duke lënë në fuqi masat e mëparshme, për ish-shefen e AKSHI-t “dera e lirisë” u hap me një lehtësi që sfidon logjikën e rrezikshmërisë së veprës penale.

Kjo asimetri në vendimmarrje krijon një precedent të rrezikshëm: duket se sa më lart të jetë pozicioni dhe sa më shumë miliona të ketë kaluar nëpër duart e një zyrtari, aq më shumë zbehet nevoja për izolimin e tij.

Analiza e relatorit Shala, e cila kulmoi me zëvendësimin e “arrestit në shtëpi” me një “detyrim paraqitjeje” pothuajse qesharak, bie ndesh me pretendimet e prokurorisë për një grup të organizuar që ka minuar barazinë në ankande publike.

Pyetja që mundon opinionin publik mbetet e njëjtë: mbi çfarë bazash juridike u arrit në përfundimin se një person me ndikimin e Karçanajt nuk përbën më rrezik për dëmtimin e provave apo ndikimin te dëshmitarët, ndërkohë që procesi është ende në fazat e tij më delikate?

Ky vendim vjen si një dush i ftohtë për ata që prisnin që “peshqit e mëdhenj” të përballeshin me të njëjtin rigorozitet ligjor si çdo qytetar tjetër. Në vend të kësaj, formula e përzgjedhur, nga dosjet me miliona euro te firma dy herë në muaj te policia, përforcon skepticizmin se drejtësia në Shqipëri mbetet selektive.

Kur dosjet e bujshme fillojnë të “shfryhen” procedurialisht sapo kalojnë muajt e parë, mesazhi që përcillet është i qartë: pushteti dhe aksesi në financat publike vazhdojnë të shërbejnë si një mburojë e padukshme, edhe përballë akuzave më të rënda të SPAK-ut./joq