Vetëm katër ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për zbutjen e masës ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, pritet të shqyrtohet edhe kërkesa për liri e ish-presidentit Ilir Meta.
Kërkesa e depozituar pak ditë më parë do të shqyrtohet më 11 maj 2026 nga gjyqtarja Etleva Deda. Ish-presidenti kërkon zëvendësimin e masës “arrest në burg”, ku ndodhet prej tetorit 2024, me një masë më të lehtë si “garancia pasurore”, “detyrimi për paraqitje” ose “ndalimi i daljes jashtë vendit”.
Lëvizja vjen në një moment delikat për sistemin e drejtësisë, pasi vendimi për Karçanajn ka ngritur debat mbi mundësinë e një qasjeje më të butë ndaj zyrtarëve të lartë të hetuar apo arrestuar nga SPAK.
Vetëm më 4 maj, Gjykata e Posaçme e Apelit kishte rrëzuar sërish kërkesën e Metës për liri, ndërsa më herët të gjitha përpjekjet e tij për zbutje mase në të tre shkallët e gjyqësorit kishin dështuar.
Por tani, pas precedentit Karçanaj, vëmendja është zhvendosur te mënyra se si Gjykata e Lartë do të veprojë me një nga figurat më të rëndësishme politike që ndodhet pas hekurave.







