Ballina Aktualitet Emërimi i 7 anëtarëve të KPA-së në Gjyqësor, çohet padia e parë...

Emërimi i 7 anëtarëve të KPA-së në Gjyqësor, çohet padia e parë në Gjykatën Kushtetuese

73
0

Nga Elton Qyno

Është rregjistruar padia e parë në Gjykatën Kushtetuese që kundërshton futjen në sistemin e Drejtësisë të 7 anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA Vetting), të cilëve në muajin qershor 2026 mësohet se u përfundon funksioni.

Kërkesë padia është depozituar nga shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”, e cila përmes një materiali voluminoz ka kërkuar shfuqizimin e pikës nr.6, në Ligjin për “Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, duke e konsideruar këtë pikë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.

Përmes shfuqizimit të Pikës Nr.6/neni 166 në ligjin e mësipërm ndërpritet çdo formë interpretimi dhe tentative e anëtarëve të KPA-së për të depërtuar në sistemin e Drejtësisë.

Lëvizja e shoqatës vjen në një kohë kur Këshilli i Lartë Gjyqësor, i ka kërkuar Kuvendit dosjet personale të 7 anëtarëve të KPA-së si dhe në një moment kur zyrtarë të KPA-së kanë zhvilluar një vizitë lobuese pranë KLGJ-së.

Mësohet se të 7 anëtarët e KPA-së, prej disa vite kanë kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që t’i rezervojë vendet vakante në Gjykatën e Apelit Tiranë, me qëllimin e vetëm që pas përfundimit të mandatit të tyre në KPA, ata të fillojnë punë si gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Pika Nr.6 e Nenit 166 për ligjin e “Statusit të Gjyqtarit dhe Prokurorit” thotë se:

”…Anëtari i Kolegjit të Apelit emërohet si gjyqtar në nivel apeli në përfundim të mandatit, përveç rasteve kur ndaj tij është dhënë masë disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës…”.

Ndërkohë Neni 136/a i Kushtetutës së Shqipërisë sanksioknon duke u shkruar qartë si më poshtë:

“…gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit…”.

Nisur nga kjo situatë ku Ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta e Shqipërisë, e ndalon emërimin si “gjyqtar” të personave që nuk kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”, ka depozituar kërkesë padinë duke kërkuar shfuqizimin e Pikës Nr.6 të Nenit 166 tek ligji për “Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit”.

Lëvizja kryhet me qëllim ndalimin e hyrjes në sistemin e Drejtësisë Gjyqësore, të 7 anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Pasi ka një tendencë nga KLGJ, për të mos respektuar Kushtetutën por për të marë një vendim politik, për futjen e Sokol Çomos, Albana Shtyllës, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Mimoza Tasit, Ina Rama, Ardian Hajdari.

Debati i madh është nëse “statusi i gjyqtarit kushtetues” që kanë anëtarët e KPA-së është përhershëm apo zgjat vetëm sa mandati i tyre në Veting.

Nëse Gjykata Kushtetuese vendos se ky status është i lidhur vetëm me funksionin e përkohshëm të Vetingut, atëherë ata pas mandatit mund të trajtohen si qytetarë të thjeshtë që duhet të konkurrojnë. Në të kundërt, çdo emërim i drejtpërdrejtë mund të shpallej antikushtetues, pasi do të konsiderohej politik ose jashtë procedurave, duke ‘anashkaluar’ Kushtetutën.

Në përmbledhje, ky formulim tregon një përplasje mes vullnetit politik për të sistemuar anëtarët e “Vetingut” pas mbarimit të punës dhe mbrojtësve të Kushtetutës që insistojnë se askush nuk mund të bëhet pjesë e sistemit të përhershëm të drejtësisë pa ndjekur procedurat e barabarta për të gjithë.