Ballina Europë Bandat më vdekjeprurëse/ DAILY MAIL: Si po rritet ndikimi i mafies shqiptare...

Bandat më vdekjeprurëse/ DAILY MAIL: Si po rritet ndikimi i mafies shqiptare në të gjithë Britaninë

51
0

Duke u përhapur me shpejtësi në të gjithë vendin, bandat shqiptare kanë marrë me ritëm të shpejtë kontrollin e tregut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar – dhe të gjithë krimit që vjen me të. Duke eliminuar grupet lokale një e nga një, bosët ballkanikë kanë ndërtuar një dominim pothuajse të pakapërcyeshëm në botën kriminale, duke përdorur lidhjet me kartelet kolumbianë për të siguruar kokainë me çmimin më të favorshëm dhe duke ushtruar hakmarrje të dhunshme ndaj kujtdo që guxon t’u kundërvihet.

Por tani ata kanë konkurrencë.

Ndërsa demografia e Mbretërisë së Bashkuar po ndryshon me shpejtësi, banda të reja po e shohin nga larg “historinë e suksesit” shqiptar – dhe duan një pjesë të saj. Ndërsa rivalët po hyjnë me forcë në territoret e vendosura në qytetet e mëdha, bosët e Evropës Lindore po reagojnë duke u zgjeruar në tregje kriminale ende të pashfrytëzuara, përfshirë resortet bregdetare apo qytetet e vogla që konsiderohen të qeta.

Statistikat e të burgosurve të Ministrisë së Mbrojtjes (MoD), të siguruara nga Daily Mail përmes një kërkese për informim, tregojnë se burgjet përgjatë bregdetit jugor janë tashmë të mbushura me të burgosur shqiptarë – nga Dorset dhe Devon deri në Hampshire dhe Sussex – pas “pushtimit” të bandave ballkanike që terrorizojnë komunitetet lokale.

Ndërkohë, Oxfordshire – i njohur për zonat luksoze të Cotswolds – mban më shumë shqiptarë në burgje se çdo zonë tjetër jashtë Londrës dhe Kentit, sipas të dhënave nga të gjitha burgjet në Angli dhe Uells. Kjo pasqyron një ndryshim dramatik të ekuilibrave, ndërsa grupet e reja – shpesh azilkërkues nga Afrika dhe Lindja e Mesme – kërkojnë të lënë gjurmën e tyre në botën shpesh fitimprurëse të krimit në Britani. Megjithatë, në disa zona, familjet tradicionale kriminale po vazhdojnë të mbajnë fort kontrollin pas dekadash dominimi.

Familjet e vjetra kriminale vazhdojnë të frikësojnë pjesë të Londrës mes një vale konkurrentësh të rinj, përfshirë banda afrikane dhe karaibike në Tottenham dhe Peckham, thonë ekspertët. Ndërkohë, familjet turke po përpiqen të ruajnë pushtetin në veri të kryeqytetit, ndërsa komuniteti tamil vazhdon të terrorizojë Croydon-in dekada pasi vendosi kontrollin atje për herë të parë.

Po ashtu, banda indiane dhe pakistaneze të formuara në mesin e shekullit XX vazhdojnë të patrullojnë rrugët e Birmingham-it me shumë pak rivalë të vërtetë. Ndërsa qytete të tjera, si Liverpool dhe Glasgow, mbeten të paprekura nga grupet e huaja që përpiqen të hyjnë në territorin e tyre dhe vazhdojnë të kontrollohen nga gangsterë britanikë. Ajo që është e sigurt është se harta kriminale e Mbretërisë së Bashkuar po copëtohet dhe po ridizenjohet, ndërsa dhjetëra kombësi po lënë gjurmën e tyre./ DAILY MAIL